Qeveria Haradinaj, ka ndarë 70 mijë euro për Zyrën e Koordinatorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti.
Sipas njoftimit nga qeveria për mbledhjen e 115-të, kjo shumë është ndarë “për nevojat dhe aktivitetet e Koordinatorit Nacional për Rini dhe Kulturë”.
Propozimi në mbledhjen e sotme të Qeverisë u bë nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, që kërkoi nga kabineti aprovimi i kërkesës së kësaj zyre për ndarjen e 70 mijë eurove.
Kabineti aprovoi kërkesën dhe Ministria e Financave u obligua që të bëjë transferin e mjeteve. Mjetet u ndanë nga Fondi Rezervë.
Nga Fondi Rezervë, pos këtyre mjeteve, në mbledhjen e sotme, u miratua vendimi që 350 mijë euro të kalojnë në buxhetin e Zyrës së Kryeministrit.
Më parë, Qeveria e Kosovës i ka ndarë 159 mijë euro për Garën Republikane për Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, projekt i organizuar nga Koordinatori Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti.
Më 22 dhe 23 qershor, mbi 2 mijë nxënës në të gjitha komunat e Kosovës morën pjesë në Garën Republikane për kreativitet kulturor dhe mendim kritik.
Nga kjo garë nacionale dhe gjithëpërfshirëse, për herë të parë në Kosovë, rreth 316,000 nxënës, nëpërmjet Programit Nacional për Rininë, vetëm për garën në nivelin e shkollës janë shpallur 16,534 fitues nga 29 komuna pjesëmarrëse.
Testi i garës së diturisë i mbajtur në nivelin e arsimit parauniversitar është konsideruar i dështuar nga drejtues shkollash, drejtorë komunalë e njohës të çështjeve të arsimit./ Gazeta Sinjali/