Janë të shpeshta rastet e mosmarrëveshjeve mes punëdhënësve dhe punëtorëve. Shumë herë zënkat mes tyre eskalojnë në sharje, ofendime e kërcënime, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në fshatin Savrovë të Suharekës, Prokuroria ka nisur hetimet.
Sinjali mëson se pronari i një kompanie private ka denoncuar në Polici punëtorin e tij, për të cilin ka deklaruar se vazhdimisht i kërkon që t’ia japë pagën para kohe.
E situata duket të eskaluar kur 48-vjeçari ka kërkuar nga shefi i tij që urgjentisht t’ia sigurojë 300 euro. Por këtë kërkesë nuk ka arritur që ta realizojë pronari i kompanisë, me ç’rast është përballur me kërcënime serioze nga punëtori i tij.
I dyshuari ka nisur mesazhe në drejtim të shefit të tij, duke e kërcënuar se nëse nuk ia gjen paratë deri në mbrëmje, s’do të shpëtojë gjallë nga ai.
Përballë kësaj situate, 30-vjeçari është detyruar që të denoncojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen, teksa është shprehur shumë i shqetësuar nga kërcënimet që ka marrë.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit për intervistim.