image Që nga sot, Perëndimi duhet ta paguaj me rubla gazin rus

Botë

Që nga sot, Perëndimi duhet ta paguaj me rubla gazin rus

news image

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia mund të prish kontratat për furnizimin me gaz në Evropë, nëse shtetet ‘jomiqësore’ nuk heqin dorë nga refuzimi i tyre për të paguar në rubla që nga sot.

Putin deklaroi se për të blerë gazin rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse, raporton The Guardian.

“Për të blerë gazin rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga ato llogari do të paguhet gazi, duke filluar nga 1 prilli. Nëse këto pagesa nuk bëhen, ne do ta konsiderojmë këtë një dështim nga klienti për të përmbushur detyrimet e tij”, tha Putin në një paraqitje televizive të enjten.

Dekreti që Putin nënshkroi të enjten autorizon Gazprombank, e kontrolluar nga shteti, të hapë llogari në valutë dhe rubla për blerjet e gazit. Blerësit evropianë do të paguanin në valutë të huaj dhe më pas do të autorizonin Gazprombank për të bërë konvertimin në rubla, të cilat më pas do të përdoren për të blerë zyrtarisht gazin.

Grupi G7 i ekonomive të përparuara – ShBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Kanadaja – kishin refuzuar të pranonin përmbushjen e kërkesës së Putinit për pagesa në rubla.

Bllokimi i kishte bërë tashmë Gjermaninë dhe Austrinë të bënin përgatitjet për racionimin e mundshëm të gazit, duke aktivizuar një plan emergjence të krijuar për ta ndihmuar atë të përballonte çdo ndërprerje në furnizimet nga Rusia.

Putin foli me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrin italian, Mario Draghi, për marrëveshjen e re të enjten. Të dy u përpoqën të qetësonin frikën e një mbylljeje të gazit, me Scholz duke u thënë gazetarëve se ai besonte se Gjermania do të vazhdonte të paguante për gazin në euro.

Ka frikë se Putini mund të zgjasë planin e pagesës me rubla, për të përfshirë eksportet e naftës, grurit, plehrave, qymyrit, metaleve dhe mallrave të tjera kryesore.

Vlera e rublës ra pasi Rusia pushtoi Ukrainën, më pas bëri një rikuperim të pjesshëm. Me monedhën që ende tregtohet në nivele të ulëta, eksportet ruse sjellin më pak para për të subvencionuar shërbimet shtetërore dhe financuar luftën, sesa pritej më parë.

Vendi ka detyruar eksportuesit e mëdhenj të shesin 80 përqind të monedhës së tyre të huaj, në mënyrë që të mbështesin rublën pasi Rusia përballet me sanksione të paprecedentë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Plani i pagesës së gazit do të kryente një funksion të ngjashëm, megjithëse nuk është e qartë pse do të bënte ndonjë ndryshim nëse blerësit e huaj apo eksportuesit rusë janë ata që do të konvertojnë dollarët dhe euron në rubla.

/GazetaSinjali/