Me 13 mars të këtij viti u regjistruan rastet e para në Kosovë, ndërkaq testimet e para në IKSHPK kanë filluar në shkurt. Nga ajo kohë e deri më tani janv kryer 20 mijë e 206 teste, teksa 1916 persona rezultuan pozitiv me koronavirus.
Rastet e para ishin në komunën e Vitisë dhe atë të Malishevës, 77 vjeçar, përkatësisht 20 vjeçare.
Nga këto raste filluan edhe testimet më të shpeshta, gjurmimi e hetimi i kontakteve të personave të infektuar.
Malisheva vazhdoi të mbante numrin më të madh të të infektuarve, kurse tani pothuajse shumica e të infektuarve kanë arritur të shërohen.
IKSHPK me njoftimet e përditshme tregon numrin e të infektuarve, ku deri tani numri total ka shkuar në 1,916 me 909 raste aktive, dhe 973 të shëruar.
Në Kosovë tani janë shënuar 34 viktima.
Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht ka kërkuar nga qytetarët t’u përmbahen rregullave, të mbajnë distancën, higjienën, dhe maskat.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar Shërbimin Spitalor të përgjysmojë të gjitha shërbimet dhe të ndalojë rreptësishtë hyrjen e përcjellësve në reparte, shërbime specialistike dhe klinika.
Instituti ka njoftuar se çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.
“Këta numra tregojnë përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit, si dhe drejt mbingarkimit pastaj të institucioneve shëndetësore, gjegjësisht të Klinikës Infektive ku fatkeqësisht personat me sëmundje shoqëruese dhe të moshuarit mund të përfundojnë fatalisht”, thuhet në komunikatë./ Gazeta Sinjali/