image "Qe 20 euro"/ Sinjali ju sjellë detaje se si 3 burra nga Gjilani e trafikuan dhe e detyruan një grua të kryejë marrëdhënie seksuale

Drejtësi

“Qe 20 euro”/ Sinjali ju sjellë detaje se si 3 burra nga Gjilani e trafikuan dhe e detyruan një grua të kryejë marrëdhënie seksuale

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi se Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, B.H., B.A., H.B, të cilët në disa lokacione të ndryshme në Gjilan, për qëllime të shfrytëzimit seksual kanë trafikuar viktimën A.H., ashtu që e njëjta të ofrojë shërbime seksuale me pagesë personave të ndryshëm, në mesin e tyre edhe dy të dyshuarve.  

Burimet e Gazetës Sinjalit kanë dhënë detaje për këtë ngjarje dhe kanë njoftuar se të dyshuarit janë Bujar Haziri, Besfort Abazi dhe Hajrulla Bejta.

Si u trafikua dhe u detyrua të ofrojë shërbime seksuale viktima në dy motele, në Gjilan e Ranillug?

Në dy muajt e parë të këtij viti, Bujar Haziri dhe Besfort Abazi, dyshohen se e kanë trafikuar një femër (emër i njohur për redaksinë) me qëllim të shfrytëzimit seksual, në ish-motelin “Demi” në fshatin Malishevë të Gjilanit, si dhe në motelin “Amfora”, të fshatit Domorovc, në komunën e Ranillugut.

Fillimisht i dyshuari Bujar Haziri e kishte telefonuar viktimën dhe më pas e kishte dërguar në një kafeteri të fshatit Dobërqan të Gjilanit, ku aty janë takuar me të dyshuarin Besfort Abazi. Ky i fundit dyshohet se e ka marrë viktimën nga aty dhe bashkë me të dyshuarin tjetër Hajrulla Bejta e kanë dërguar në motelin “Amfora”.

Viktima së pari dyshohet se ishte detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me Besfort Abazin. Në dhomën ku dyshohet se ndodhi ngjarja, më pas kishte hyrë Hajrulla Bejta, i cili po ashtu dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, pa dëshirën e saj. Pas reagimeve të viktimës, dyshohet se Bujar Abazi i ka dhënë asaj 20 euro.

Të njëjtat burime njoftojnë për Sinjalin se një ngjarje e tillë dyshohet të ketë ndodhur edhe në mes të muajve maj e qershor të këtij viti. Në dy motelet që u përmendën më lartë, Bujar Haziri dyshohet se e ka trafikuar viktimën, ndërsa i dyshuari Besfort Abazi kishte kryer disa herë marrëdhënie seksuale me të. Për këto shërbime, Abazi dyshohet se e kishte paguar Hazirin.

Prokuroria Themelore në Gjilan po kërkon masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve, pasi që sipas tyre ekziston edhe baza ligjore, si dhe të njëjtit nuk duhet të qëndrojnë në liri pasi mund të ndikojnë te viktima.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/