Një ngjarje shqetësuese është raportuar në Klinë, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj pasi dyshohet se e ka lënë në mes të rrugës dhe është larguar me dy fëmijët e tyre pas një konflikti familjar, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Rasti është raportuar më 31 maj, kur S. S. ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke njoftuar se vajza e tij kishte probleme me bashkëshortin.
Pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë intervenuar dhe kanë shoqëruar palët në Stacionin Policor në Klinë për intervistim.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se sipas deklarimit të viktimës I. D, një ditë më herët ajo kishte qenë në Istog së bashku me bashkëshortin dhe dy vajzat e tyre.
Gjatë kthimit për në Klinë, në fshatin Gurakoc, situata mes çiftit kishte eskaluar. Viktima ka deklaruar se fillimisht ishte ofenduar nga bashkëshorti, e më pas ai kishte ndalur veturën dhe e kishte nxjerrë jashtë automjetit.
Sipas saj, i dyshuari nuk e kishte goditur fizikisht, por ishte larguar nga vendi i ngjarjes bashkë me dy vajzat, duke e lënë atë vetëm në rrugë.
Pas intervistimit të palëve dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti “Dhunë në familje”.
I dyshuari G. D është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurën e mëtejshme hetimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!