image Që 18 muaj kërkohej për tregti të ndaluar me barna, 47-vjeçari përfundon në prangat e Policisë së Kosovës

Siguri

Që 18 muaj kërkohej për tregti të ndaluar me barna, 47-vjeçari përfundon në prangat e Policisë së Kosovës

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar dje 47-vjeçarin, Armend Ilazin, të dyshuar për veprat penale “Tregti e ndaluar”, e lidhur me veprën “Pjesëmarrje në grupin kriminal të organizuar”, raporton Gazeta Sinjali.

Me këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar nga departamenti special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, që t’ia caktojë 47-vjeçarit masën e paraburgimit.

Në kërkesën e Speciales, të siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se Armend Ilazi, në bashkëveprim me persona të tjerë, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare për vete apo për persona të tjerë, nga muaji prill i vitit 2018, kanë blerë pako të medikamenteve të llojit “Tamoil XX 200mg”, nga barnatorja “Bimo Farm”, me seli në Ferizaj dhe atë në intervale të caktuara kohore, të cilat i ka shitur apo transportuar te personat apo lokalet e ndryshme në Kosovë, duke kanë bërë tregti të barnave.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 22 mars të vitit 2019, kishte nisur hetimet ndaj të pandehurve, Besim Sylejmani dhe Sylë Sylejmani, për veprat penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore” dhe “Tregti e ndaluar” dhe për të pandehurin Fatmir Haruni për veprën “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi dhe ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

Ndërkaq, më vonë, përmes një aktvendimi, nën “llupën e prokurorisë” u vendos edhe Armend Ilazi, i dyshuar për “Tregti e ndaluar“, lidhur me veprën “Pjesëmarrja ose Organizimi i Grupit Kriminal të Organizuar”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e Ilazit, mirëpo, ai nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të policisë.

Armend Ilazin policia nuk e gjeti as në banesën e tij, dera e së cilës kishte qenë e mbyllur, kur organet e rendit dhe sigurisë shkuan atje.

Ndonëse, urdhërarresti ndaj tij u lëshuar më 8 janar të vitit të kaluar, ai ishte i paarritshëm nga organet e ndjekjes, çka e detyroi prokurorinë që më 11 qershor të 2020-ës, të pezullojë hetimet ndaj tij.

Ilazi përfundoi në prangat e policisë vetëm pas 18 muajsh, më 7 korrik të vitit 2021, rreth orës 09:30.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, prokuroria, ndër të tjera, e arsyetoi me ekzistencën e dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare, ngase provat që janë gjetur në banesë, sipas Speciales, janë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit janë kryerës të veprave penale të sipërcituara.

Po ashtu, kjo prokurori ka vlerësuar se nëse lihet i lirë, 47-vjeçari mund të arratiset, pasi që tani e ka kuptuar se është nën hetime për veprën penale, për të cilën parashihet dënimi me burgim dhe se “vetë lartësia e dënimeve që parashihet për veprat penale që ju vihet në barrë, paraqet një rrethanë e cila tregon se i pandehuri mund t’i shmanget ndjekjes penale dhe në këtë mënyrë, mund të pengojë zhvillimin normal të procedurës penale”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/