image Qalaj për situatën në veri: Të ruhen fizikisht stacionet policore, numri i policëve është shumë i vogël

Politikë

Qalaj për situatën në veri: Të ruhen fizikisht stacionet policore, numri i policëve është shumë i vogël

news image

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka folur për situatën e krijuar në veriun e vendit pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë në komunat me shumicë serbe.

Qalaj thotë se situata në veriun Kosovës është mjaft e komplikuar, madje sipas tij, atje tashmë janë institucionet formalisht pasi që thotë se ato janë jo funksionale.

Deputeti i PDK-së  theksoi se është e nevojshme që fizikisht të ruhen stacionet policore në veri pasi që numri i policëve është shumë i vogël dhe gjithmonë ka rrezik që këto stacione policore të rrezikohen edhe fizikisht.

“Qeveria e Kosovës të mos dërgojë përforcime atje, të mos dërgojë njësitë atje dhe kjo është një situatë mjaftë sensitive, ku në njërën anë nuk lejohet t’i dërgosh njësitë e rregullta dhe ato speciale për të përmbushur nevojat e funksionimit të stacioneve policore dhe në anën tjetër është një pasiguri totale meqenëse nuk ka kush të kontrollojë nëpër rrugë dhe atje mund të qarkullojnë individ dhe grupe të armatosura”, tha ai.

Tutje, Qalaj në emisionin në Tëvë1 tha se nuk sheh zgjedhje momentale në këto ditë me vetë faktin që nuk janë duke u dërguar forca policore nga Drejtoria e Përgjithshme apo nga Qeveria e vendit.

“Pra është shumë e nevojshme që fizikisht të ruhen stacionet policore mirëpo numri i policëve është shumë i vogël dhe gjithmonë ka rrezik që këto stacione policore të rrezikohen edhe fizikisht… Duhet një vendim politik, në këtë rast nga Qeveria e Kosovës, të dërgohen policët apo jo”, tha deputeti i PDK-së.

/GazetaSinjali/