Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka deklaruar se ai ka urdhëruar ndërhyrjen e njësisë FIT të policisë në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje vite më parë.
Për një gjë të tillë, Qalaj në seancën e sotme tha se nuk është pishman dhe se ka vepruar ligjshëm.
“Jam shumë krenar që kam zbatuar urdhrat e ligjshëm të drejtësisë së Kosovës. Po, është e vërtetë se unë kam urdhëruar, nuk jam pishman asnjë sekondë të vetëm. Do të veproja edhe unë sot njëjtë, pa asnjë dyshim. Tjetra, jam krenar që jam edhe anëtar i PDK-së”, tha ai.
Por atij i reagoi deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, i cili tha se Qalaj është “dëshmia për kapjen e shtetit nga PDK-ja”.
“Ai që dikur ishte drejtor i operacioneve të përgjithshme të Policisë së Kosovës, urdhërdhënësi i ndërhyrjes në një parti politike të njësisë antiterror, FIT, dy javë pas përfundimit të misionit të tij në polici përfundon në listat zgjedhore të PDK-së dhe zgjidhet deputet. Nuk na duhet asnjë raport ndërkombëtar se shteti i Kosovës është i kapur”, tha ai.