Sot përfundon fushata elektorale për rundin e dytë të zgjedhjeve të cilat do të mbahen më 14 nëntor.
Që nga fillimi i fushatës e deri sot, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar shtatë ankesa për subjektet politike që nuk kanë respektuar rregullat e fushatës zgjedhore.
Këtë për Gazetën Sinjali e ka bërë të ditur kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.
“Nga data 08.11.2021 deri më sot PZAP-i ka pranuar 7 ankesa të paraqitura nga subjektet politike për fushatë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunave”, ka deklaruar Desku.
Ai ka shtuar se PZAP-i gjatë kësaj fushate 5 ditore për rundin e dytë, ka shqiptuar gjobë në shumën mbi 2000 euro, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“PZAP-i ka shqiptuar gjobë në shumë prej 2,100.00 euro ndaj subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje për shkak të Vendosjes se materialit zgjedhorë në hapësirat publike”, ka thënë Desku.
Në rundin e dytë të zgjedhjeve, procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve./GazetaSinjali/