Rusia do të vazhdojë me aksionin e saj ushtarak në Ukrainë derisa të përmbushen qëllimet e saj, ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin.
Në një paraqitje të rrallë publike në kozmodromin Vostochny në Lindjen e Largët të Rusisë, kreu i Kremlinit tha se operacioni ushtarak do të vazhdojë deri në përfundimin e tij të plotë dhe përmbushjen e detyrave që janë vendosur, shkruan Skynews.
Putin vazhdoi duke thënë se fushata e Rusisë po shkonte sipas planit dhe nuk po lëvizte më shpejt sepse Rusia donte të minimizonte humbjet.
Ai pohoi gjithashtu se Ukraina u tërhoq nga propozimet e bëra gjatë bisedimeve me negociatorët rusë në Stamboll, duke rezultuar në një bllokim të bisedimeve dhe duke i lënë Moskës zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë me ofensivën e saj.
Gjatë fjalimit të liderit rus, i cili erdhi pasi ai u takua me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko, ai tha gjithashtu se vendet perëndimore kishin nisur një “luftë totale sanksionesh kundër Rusisë dhe Bjellorusisë”.
Ai tha se “çdo përpjekje për të penguar zhvillimin tonë” ose “të na izolojnë artificialisht nga ekonomia globale” ishin “të padobishme”, duke shtuar se Rusia dhe Bjellorusia ishin “të lidhura ngushtë”.