Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të mërkurën se Rusia do të arrijë qëllimet në Ukrainë dhe nuk do të zmbrapset para, siç tha ai, përpjekjeve të Perëndimit për të arritur dominimin global dhe shkatërrimin e Rusisë.
Putin tha se Rusia është e gatshme të diskutojë statusin neutral për Ukrainën, tri javë pas nisjes së luftës që ka lënë të vrarë mijëra persona dhe ka detyruar miliona ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ai tha se pushtimi, apo siç e quan Rusia “operacion të posaçëm ushtarak” po shkon “sipas planit”.
Gjatë një adresimi para Qeverisë, Putin po ashtu pranoi se sanksionet perëndimore po shkaktojnë dhimbje në ekonominë ruse, por ai tha se Rusia mund ta përballojë këtë goditje.
Gjatë fjalimit të tij nuk pati asnjë tregues se ai do të tërhiqej nga sulmi në Ukrainë, por as për ulje të tensioneve me Perëndimin.
“Në një të ardhme të parashikueshme, është e mundshme që regjimi pro-nazist në Kiev të posedojë armë të shkatërrimit në masë, dhe shënjestra e tij, sigurisht do të ishte Rusia”, tha Putin.
Putin vazhdimisht i ka përshkruar liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike në Ukrainë si neo-nazistë që po kryejnë gjenocid kundër popullsisë rusishtfolëse në lindje të vendit – një pretendim që Perëndimi e ka quajtur të pabazë dhe propagandë të luftës, shkruan REL.
Putin tha se shtetet perëndimore duan ta bëjnë Rusinë “një shtet të varur, të dobët, t’ia shkelin integritetin territorial, ta shkatërrojnë Rusinë në mënyrën që atyre u përshtatet”.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës.