Prioriteti i Moskës është të sigurojë arritjen e garancive të sigurisë me NATO-n për të ruajtur paqen, “jo një konfrontim”, tha të hënën presidenti rus Vladimir Putin, duke paralajmëruar megjithatë se pranimi i Ukrainës në NATO do të përbënte një kërcënim sigurie për Rusinë, shkruan CNN, përcjell Sinjali.
“Në muajt e fundit, në fund të vitit të kaluar, ne shtuam përpjekjet tona me partnerët tanë kryesorë në Uashington dhe NATO për të rënë dakord përfundimisht për masat e sigurisë dhe për të garantuar zhvillimin paqësor të vendit tonë. Ky është prioriteti ynë, jo një konfrontim”, tha Putin.
“Por ne duhet të kuptojmë realitetin në të cilin po jetojmë, dhe unë kam thënë shumë herë tashmë se nëse Rusia përballet me një kërcënim si pranimi i Ukrainës në NATO, atëherë kërcënimi kundër vendit tonë do të shumëfishohet”, shtoi ai.
Duke folur gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Rusisë në Moskë, Putin vuri në dukje se “përdorimi i Ukrainës si një mjet konfrontimi kundër Rusisë është një kërcënim serioz dhe i madh” për Moskën.
“Rusia është përpjekur gjithmonë të zgjidhë të gjitha konfliktet me mjete paqësore. Megjithatë, autoritetet e Kievit kryen dy operacione ndëshkuese në këto territore [Donetsk dhe Luhansk] dhe duket se tani jemi dëshmitarë të një përshkallëzimi për herë të tretë”, tha Putin.
Nuk është e qartë se çfarë operacionesh po i referohej Putin.
Zyrtarët ukrainas kanë mohuar atë që është përshkruar si “dezinformim” dhe “provokime të qëllimshme” nga Federata Ruse.