Danimarka do të rris ndjeshëm buxhetin e saj të mbrojtjes dhe do të synojë të bëhet e pavarur nga gazi natyror rus. Deklaratat erdhën nga kryeministrja daneze, Merre Frederiksen, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
“Kohët historike kërkojnë vendime historike”, tha Frederiksen.
“Sulmi i pakuptimtë dhe brutal i Putinit ndaj Ukrainës ka paralajmëruar një epokë të re në Europë, një realitet të ri”, shtoi ajo.
“Lufta e Ukrainës nuk është vetëm e Ukrainës. Ajo është një provë e forcës për gjithçka që ne besojmë, vlerat tona, të drejtat e njeriut, paqen e lirinë”, tha kryeministrja daneze.
Frederiksen gjithashtu tha se partitë kryesore parlamentare në vend, ishin dakord që Danimarka të bëhej e pavarur nga gazi rus “sa më shpejt që të jetë e mundur” por ajo nuk ofroi afat kohor për këtë.