image Pushtimi i Ukrainës - Çfarë dimë deri më tani për konfliktin?

Botë

Pushtimi i Ukrainës – Çfarë dimë deri më tani për konfliktin?

news image

Rusia ka nisur një sulm ushtarak në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, me urdhër të presidentit rus Vladimir Putin. Gjatë orëve të para të mëngjesit ka pasur raportime për sulme në disa zona të Ukrainës dhe të automjeteve ruse që kanë hyrë nga të gjitha drejtimet.

Po çfarë dimë deri tani.

Putin urdhëron sulmin ndaj Ukrainës

Në një fjalim televiziv në orën 05:55 me orën e Moskës, Putin njoftoi nisjen e një “operacioni ushtarak” në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës. Një pjesë e saj ka qenë e pushtuar dhe udhëhiqej nga rebelët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014.

Putin e cilësoi ndërhyrjen e Rusisë një akt vetëmbrojtjeje. Ai u kërkoi ushtarëve ukrainas në zonën e luftimit që të linin armët dhe të shkonin në shtëpi, por tha se përplasjet ishin të pashmangshme dhe ishte “vetëm një çështje kohe”.

Dëgjohen shpërthime në të gjithë vendin

Korrespondentët e BBC kanë deklaruar se kanë dëgjuar shpërthime të forta në Kiev, si dhe në Kramatorsk në rajonin e  Donetsk të Ukrainës lindore. Gjithashtu janë dëgjuar shpërthime edhe në qytetin port jugor të Odesës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se Rusia kishte kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës.  Ministria ruse e mbrojtjes ka mohuar të ketë sulmuar qytetet ukrainase, duke thënë se kishte në shënjestër infrastrukturën ushtarake, mbrojtjen ajrore dhe forcat ajrore.

Tanket dhe trupat ushtarakë hyjnë në Ukrainë

Tanket dhe trupat ushtarakë kanë hyrë në Ukrainë përgjatë kufijve të saj lindor, jugor dhe verior, sipas burimeve të Ukrainës. Automjetet ushtarake ruse kanë kaluar nga Bjellorusia në rajonin verior të Ukrainës Chernihiv, dhe nga Rusia në rajonin Sumy, i cili ndodhet gjithashtu në veri, sipas rojeve kufitare të Ukrainës (DPSU).

Automjetet ushtarake kanë hyrë gjithashtu në rajonet lindore të Luhanskut dhe Kharkiv, dhe janë vendosur në rajonin Kherson nga Krimea. Ka pasur gjithashtu raportime për zbarkimin e trupave në portet e Detit të Zi, Mariupol dhe Odesa.

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në qendër të qytetit të Odesës. Të paktën tetë persona kanë humbur jetën nga bombardimet e forcave ruse, sipas autoriteteve ukrainase, raporton ABC News.

6 persona kanë humbur jetën pas një sulmi në një njësi ushtarake në Podilsk jashtë Odesa, ndërsa 7 kanë mbetur të plagosur. Nëntëmbëdhjetë persona rezultojnë të zhdukur. Një person ka vdekur në qytetin lindor të Mariupolit, sipas zyrtarëve.

Forcat e armatosura të Ukrainës thonë se kanë rrëzuar pesë avionë rusë dhe një helikopter dhe kanë vrarë 50 trupa rusë.

Megjithatë, ministria ruse e mbrojtjes ka mohuar rrëzimin e avionëve.

Ukraina ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe  ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë.

Presidenti Zelensky u bëri thirrje rusëve të protestojnë kundër pushtimit dhe tha se kushdo që dëshiron mund të pajiset me armë. Ndërkohë Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba i bëri thirrje botës të vendosë sanksione ndaj Rusisë, duke përfshirë ndalimin e kësaj të fundit nga sistemi ndërkombëtar i pagesave Swift.

Banorët kërkojnë të largohen në një vend më të sigurt

Rrugët e Kievit janë bllokuar ndërsa njerëzit po largohen nga qyteti. Shumë persona në Kiev po strehohen në stacionet e metros. Gjithashtu ka radhë të gjata në pikat e karburanteve dhe bankomatëve.

Rritet çmimi i naftës

Çmimet e naftës u rritën mbi 100 dollarë për herë të parë në më shumë se shtatë vite.

Ndërkohë, monedha ruse, rubla, ra në nivelin më të ulët historik kundrejt dollarit dhe euros.

Bota dënon sulmin e Rusië ndaj Ukrainës

Vendet evropiane ka dënuar veprimin e Rusisë.  Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se kancelari Olaf Scholz kishte folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, duke i shprehur solidaritetin.

“Evropa është në luftë, një luftë  që menduam se do ta lexonim vetëm në librat e historisë. Është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar,” tha në një deklaratë ministri i ekonomisë Robert Habeck.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha se ishte i frikësuar  nga “sulmi i pajustifikueshëm” i Rusisë  dhe se Britania do të “përgjigjej me vendosmëri”. Kryeministri italian Mario Draghi tha se gjithashtu se sulmi ishte “i  pajustifikueshëm”

“Ne po punojmë me aleatët evropianë dhe të NATO-s për t’iu përgjigjur menjëherë sulmit të Ukrainës, me unitet dhe vendosmëri.”

Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë polake Piotr Muller tha se ishte “koha për të përforcuar krahun lindor të NATO-s”.

/GazetaSinjali/