image Punonjësi i Stafit Civil në Policinë Kufitare dyshohet se e rrahu një fëmijë të fqiut

Kosovë

Punonjësi i Stafit Civil në Policinë Kufitare dyshohet se e rrahu një fëmijë të fqiut

news image

L. Meta, punëtor në Stafin Civil në Policinë Kufitare, dyshohet se ka rrahur një fëmijë 12 vjeçar, pas një konflikti që ky i fundit kishte me djalin e tij, po ashtu i mitur. Për këtë ndaj Metës është dorëzuar një ankesë në Policinë e Gjakovës dhe rasti është raportuar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Familjarët e viktimës po pretendojnë se L. Meta e ka sulmuar djalin e tyre, duke e kapur për fyti dhe për këtë kanë bërë ankesë në polici.

Lumni Graishta, Drejtor Rajonal në Policinë e Gjakovës, ka konfirmuar rastin për Gazetën Sinjali, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

“Ne e kemi pranuar një ankesë prej një qytetari, për një punonjës të stafit civil, IPK-ja është njoftuar”, ka thënë Graishta.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me L. Metën, i cili e ka pranuar se ndaj tij është bërë një ankesë për të cilën është intervistuar në Policia e Gjakovës dhe se po pret të intervistohet nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Meta për Gazetën Sinjali është shprehur se gjatë ditës së djeshme 12 vjeçari T.O. ia ka rrahur djalin e tij po ashtu 12 vjeçar RR.M.

“Po, kështu, djali i kojshisë në banesë, në një lagje banojmë. Rreth orës 16:30, dje unë isha duke ardh në banesë me djalin dhe më tha djali po shkoj me ble akullore, është një dyqan atu afër, edhe po e pres unë. Ai dyqani është si në kthesë edhe kur hyn nuk shihet, edhe pas 3-4 minutave po e shoh djalin po vjen në drejtim timin, po qanë edhe po e mban dorën e djathtë, s’disha se çka ka ndodh, kur u afrova më tha më goditi T.O, njëri prej djemve. Unë kam vrapuar me këqyr ku është, nuk e kam parë edhe kaq kom vazhduar në shtëpinë time”, ka thënë L. Meta për Gazetën Sinjali.

L. Meta ka sqaruar se sot rreth orës 10 e 30 minuta është takuar me 12 vjeçarin T.O., dhe sipas tij ai nuk e ka sulmuar fizikisht, por fëmija i mitur është rrëzuar vetë me biçikletë nga frika.

“Sot ka ora 10:30 unë kam dal me biçikletë dhe kish pas shkruar në Snap Chat përmes një shoku të tij të cilën e kam dëshmi. I ka thanë t’i q* robt ty edhe babës ton. Rastësisht e takova në mahall atë djalin, edhe kur më pa ai me biçikletë në momentin që më ka pa prej frikës edhe u rrezua me biçikletë. Kur u qu unë ju afrova, ai tëm falsh burr tëm falsh burr, i thash ku e ki babën, më tha në Gjermani u met shkaku i koronavirsuit. I thash kur të vjen babai i kom dy fjalë me ta edhe kaq. Pas 10 minutave prap i ka shkruar djalit përmes Snap Chatit, kom me jau q* të gjallë e të dekun ty e babës ton, është shprehur ai më tutje.

Meta ka theksuar se 30 minuta pasi ka ndodhur rasti, dy policë e kanë intervistuar për një ankesë.

“Mas gjysmë orë vijnë dy policë, thanë e kemi një ankesë. Kur shkova atje e dhashë një deklaratë e bëra një raport, kjo është e tëra. Djalit i kom bë një raport mjekësor”, ka thënë L. Meta. /Gazeta Sinjali/