Një shtetas i Turqisë e ka futur ilegalisht një sirian në Kosovë, përmes një kamioni të mallrave, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se malli i ngarkuar në kamion ishte i destinuar për kompaninë “Neptun” dhe se shtetasi i Sirisë është gjetur në kamion nga punëtorët e kësaj kompanie në Graçanicë.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me administratën e “Neptun”-it për këtë rast dhe personat përgjegjës kanë thënë se kur është gjetur, ai ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Po, në momentin që (punëtorët) e kanë parë që personi është aty, e kanë thirrë policinë dhe rasti tash ka kalu në polici. Ai ka qenë në gjendje të keqe”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për Gazetën Sinjali.
Ndërkaq, përmes raportit 24-orësh, policia ka njoftuar se janë arrestuar dy të dyshuarit (shoferi turk dhe shtetasi sirian), të cilët me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje./Gazeta Sinjali/