image Publikohet deklarata e plotë nga Samiti i BE-së në Tiranë, BE kërkon ujdi Kosovë-Serbi

Politikë

Publikohet deklarata e plotë nga Samiti i BE-së në Tiranë, BE kërkon ujdi Kosovë-Serbi

news image

Është publikuar deklarata e përbashkët e Samitit BE-Ballkani Perëndimor pas takimit të sotëm, raporton Gazeta Sinjali.

BE ka theksuar se presin progres konkret nga pala serbe dhe kosovare drejt një “marrëveshje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”.

“Ne përsëritim pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne i nxitim të dy Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt Dialogut. Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë:

Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të Shteteve të tij Anëtare, në konsultim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe në prani të palëve të interesuara rajonale dhe ndërkombëtare, sot mbajtëm këtë Samit për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe dolëm në përfundimet e mëposhtme:

1. Përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

2. BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme të Partnerëve, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të përbashkët. BE-ja përshëndet progresin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo, në tetor 2021. Në veçanti, BE-ja përshëndet mbajtjen e Konferencave të para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

3. BE-ja përshëndet vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur vlerat dhe parimet thelbësore evropiane, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. BE-ja përshëndet gjithashtu angazhimin e përsëritur të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për t’u dhënë përparësi demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, duke përfshirë ndarjen e pushteteve. Bashkimi Evropian nënvizon nevojën për përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i reformave të nevojshme dhe nga ndërtimi i një historiku të qëndrueshëm i mbështetur në komunikimin publik të qartë dhe konsekuent në interes të popullit të tyre. Një shoqëri civile e fuqizuar dhe mediet e pavarura dhe pluraliste, në respekt të plotë të lirisë së shprehjes, janë përbërësit vendimtarë të çdo sistemi demokratik dhe ne përshëndetim dhe mbështetim rolin që ato luajnë në Ballkanin Perëndimor.

4. Qëndrimi së bashku me BE-në është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, teksa Rusia përshkallëzon luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës. Një vizion i përbashkët për të ardhmen përfshin përgjegjësi reciproke dhe vlera të përbashkëta. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me Partnerët, ne i nxitim ata të bëjnë progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (PPJS) dhe të veprojnë në përputhje me të, duke përfshirë edhe me masat kufizuese të BE-së. Ne përgëzojmë ata Partnerë të Ballkanit Perëndimor që po e tregojnë tashmë angazhimin e tyre strategjik në këtë aspekt duke u përafruar plotësisht me PPJS-në e BE-së dhe inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë ende të ndjekin shembullin e tyre.

5. BE-ja mbetet partneri më i afërt, investitori kryesor si dhe partneri tregtar dhe donatori parësor i rajonit. Shkalla dhe diapazoni i jashtëzakonshëm i kësaj mbështetjeje duhet të bëhen më të dukshme dhe të pasqyrohen në mënyrë dinamike nga Partnerët në debatin dhe komunikimin e tyre publik, në mënyrë që qytetarët të munden të vlerësojnë përfitimet konkrete të partneritetit me BE-në.

6. Duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Evropian ka ftuar Komisionin, Përfaqësuesin e Lartë dhe Këshillin të çojnë përpara integrimin gradual të rajonit tashmë gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar te meritat.

7. BE-ja rikujton rëndësinë e vazhdimit të reformave, si për të mirën e qytetarëve ashtu edhe si bazë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe në veçanti të atyre reformave që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

8. BE-ja vazhdon të mbështetë plotësisht angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunimin rajonal përfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Vazhdon të jetë i rëndësishëm zbatimi në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme i marrëveshjeve dypalëshe, ku përfshihen Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Traktati për Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë. Kërkohen ende përpjekje të mëtejshme vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, përfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dy palëshe dhe rajonale midis partnerëve dhe për çështjet që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë dhe rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës. BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave.

9. Ne vazhdojmë të mbështetim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim progres konkret nga të dy Palët drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Kjo është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar se Palët munden të vazhdojnë rrugëtimet evropiane përkatëse. Ne përsëritim pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne i nxitim të dy Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt Dialogut. Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen dhe stabilitetin.

10. Ne përshëndetim takimin e parë të suksesshëm të Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt më 6 tetor 2022 në Pragë. Takimi ofroi një platformë për koordinim politik dhe një mundësi për shkëmbime të thelluara për çështje urgjente që kanë të bëjnë me të gjithë kontinentin. Presim me padurim takimin tjetër që do të mbahet në Republikën e Moldavisë nëgjysmën e parë të vitit 2023. Trajtimi i përbashkët i ndikimit negativ të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe ndërtimi i një themeli të fortë ekonomik për të ardhmen.

11. Rusia është përgjegjësja e vetme për krizën aktuale energjetike dhe ekonomike. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për partnerët e Ballkanit Perëndimor në trajtimin e pasojave negative në ekonomitë dhe shoqëritë e tyre.

12. Paketa e re e BE-së e Mbështetjes për Energjinë, me një vlerë prej 1 miliardë euro në grante të cilat mund të sjellin 2,5 miliardë euro në investime, do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor të zbutë ndikimin e krizës energjetike dhe të përshpejtojë tranzicionin energjetik në rajon. Paketa financohet nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) dhe përmban masa të menjëhershme, afatshkurtra dhe afatmesme për t’u dhënë ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në Ballkanin Perëndimor. 500 milionë euro në formë grantesh do të shkojnë për mbështetjen e menjëhershme të familjeve të cenueshme dhe ndërmarrjeve tëmesme dhe të vogla (SME). 500 milionë euro të tjera në grante do t’i kushtohen investimeve në mbështetje të tranzicionit energjetik dhe pavarësisë energjetike, për të financuar përmirësimet në infrastrukturën e gazit dhe elektricitetit dhe në interkonektorët ku përfshihet GNL-ja, si dhe projektet e reja për energjinë e përtëritshme, masat për eficiencën energjetike, përmirësimet në sistemet e transmetimit të energjisë, ngrohjen qendrore urbane dhe skemat për të përmirësuar eficiencën energjetike të apartamenteve në ndërtesat e vjetra.

13. Ne kujtojmë vendimin tonë për të hapur blerjet e përbashkëta të gazit, GNL-së dhehidrogjenit për Ballkanin Perëndimor, bëjmë thirrje për vënien e shpejtë në funksion të kësaj platforme dhe inkurajojmë partnerët që ta përdorin këtë mundësi. Plani REPower i BE-së do të ndihmojë për të ulur varësinë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nga gazi rus.  Nëpërmjet Komunitetit të Energjisë, BE-ja po hap tregun e saj të energjisë elektrike për Ballkanin Perëndimor, edhe në sektorin e energjive së rinovueshme, duke iu nënshtruar reformaverregullatore.

14. Zbatimi i vazhdueshëm i Planit Ekonomik dhe të Investimit (PEI) dhe i Agjendave të Gjelbra dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë dhe qëndrueshmërisë së rajonit, duke përfshirë edhe mbështetjen e mëtejshme për lidhshmërinë, tranzicionin e energjisë dhe diversifikimin e furnizimeve me energji. PEI-ja parashikon një paketë ambicioze investimi, duke mobilizuar afërsisht 30 miliardë euro për rajonin, të përbëra nga 9 miliardë euro financim me grante nga IPA III dhe deri në 20 miliardë euro në investime, të mobilizuara nga Instrumenti i ri i Garancisë së Ballkanit Perëndimor. Në kuadrin e Planit, në gjysmën e parë të vitit 2022 u miratua zbatimi i një totali prej 1,4 miliardë euro në grante investimi nën Kuadrin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) për të financuar 28 projekte parësore investimi me një vlerë totale prej 4,5 miliardë euro. Sapo është miratuar një paketë e re me 400 milionë euro në grante nga BE-ja me vlerë investimi prej 1,2 miliardë euro, për të financuar 12 projekte investimesh, ndërkohë që projektet e miratuara po hyjnë në fazën e zbatimit. Gjatë vitit të kaluar, puna vazhdoi në të gjitha projektet e investimeve të lidhshmërisë të miratuara nën agjendën e lidhshmërisë, me disa projekte që po i afrohen përfundimit, në veçanti korridori hekurudhor Orient-Lindje-Mesdhe, Korridori rrugor Vc dhe dy urat ndërkufitare, Svilaj dhe Gradiška. Në këtë kontekst, partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të rritin sundimin e ligjit dhe të ndërmarrin me vendosmëri reformat ekonomike dhe shoqërore, duke përfshirë edhe ato që janë të parashikuara në Programet e tyre të Reformave Ekonomike dhe në përfundimet e përbashkëta për dialogun ekonomik dhe financiar.

Dokumenti i plotë: 

/GazetaSinjali/