Pas fjalëve ku përshkruanin dhunë si dhe ishin kërcënuese për banorët e tjerë, produksioni i Big Brother VIP Albania ka përjashtuar nga shtëpia ish-futbollistin e Kombëtares shqiptare, Klodian Duro.
Largimi i tij u kumtua nga një zarf i zi të cilin e lexoi Egla.
“Banorë, gjatë darkës pas spektaklit mbrëmë është dhënë një deklaratë e rëndë, e papranueshme, që bie ndesh me rregullat e programit si dhe me normat e shoqërisë ku jetojmë. Big Brother ka vendosur të skualifikojë në mënyrë të menjëhershme Klodian Duron nga gara. Big Brother i tërheq vëmendjen të gjithë banorëve të jenë shumë të kujdesshëm në fjalët dhe veprimet e tyre që lidhen me dhunën”.
Por çfarë saktësisht deklaroi Klodiani, deklarata në vijim:
“Ruhuni nga unë se kur kam rrahur gruan a e di si më dukeni ju. Po i futa dhe një dy gotë raki tani, se kam kohë pa e provuar. E rraha ngaqë më mbante gocën, mbante gocën time”, u shpreh ish-futbollisti i Kombëtares mbrëmjen e kaluar, teksa të gjithë po darkonin në tryezë.
Nga ana tjetër, Meriton Mjekiqi dhe disa banorë të tjerë tentuan ta ndalojnë Klodianin, por pa sukses.
“Asnjëherë vëlla, larg qoftë. Nuk je ti ai. Kurrë nuk je ti ai. Unë e di që s’je ti ai. Harroje atë, ndërro muhabet, mos ta dëgjoj më”, iu drejtua Meritoni, por ish-futbollisti vazhdonte me deklaratën ku pohonte se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.