image Oscars e përjashtoi për 10 vite, vjen reagimi i Will Smith

Bota e Yjeve

Oscars e përjashtoi për 10 vite, vjen reagimi i Will Smith

news image

Will Smith e ka pranuar vendimin e Akademisë së Filmave për përjashtimin nga “Oscars” për 10 vjet.

“E pranoj dhe e respektoj vendimin e Akademisë”, tha aktori në një deklaratë për Fox News Digital të premten.

Ditën e djeshme (e premte), Akademia njoftoi se Smithit iu ndalua të merrte pjesë në “Oscars” apo ndonjë ngjarje tjetër të Akademisë për 10 vjet pas shuplakës së Chris Rock.

Vendimi ishte marrë pas një takimi të Bordit të Akademisë për të diskutuar veprimet e yllit të “King Richard”.

“Edicioni i 94-të i Oscars duhej të ishte një festë e shumë individëve në komunitetin tonë që bënë punë të jashtëzakonshme vitin e kaluar, megjithatë ato momente nuk u panë për shkak të sjelljes së papranueshme dhe të dëmshme që zoti Smith bëri në skenë”, tha Bordi në një letër.

“Sot, Bordi i Guvernatorëve mbajti një mbledhje për të diskutuar se si t’i përgjigjemi më mirë veprimeve të Will Smith në Oscar, përveç pranimit të dorëheqjes së tij. Bordi ka vendosur, për një periudhë 10-vjeçare nga 8 prilli 2022, Smith nuk do të lejohet të marrë pjesë në asnjë ngjarje apo program të Akademisë, personalisht ose virtualisht, duke përfshirë, por pa u kufizuar në Çmimet e Akademisë”.

“Ne duam t’i shprehim mirënjohjen tonë të thellë zotit Rock për ruajtjen e qetësisë në rrethana të jashtëzakonshme. Gjithashtu duam të falënderojmë nikoqirët tanë, të nominuarit, prezantuesit dhe fituesit për vendosmërinë dhe sharmin gjatë transmetimit tonë televiziv”, thuhet tutje.

“Ky veprim që po ndërmarrim sot në përgjigje të sjelljes së Will Smith është një hap drejt një qëllimi më të madh për të mbrojtur sigurinë e interpretuesve dhe të ftuarve tanë dhe për të rivendosur besimin në Akademi. Gjithashtu shpresojmë se kjo mund të jetë një kohë shërimi dhe restaurimi për të gjithë që ishin të përfshirë dhe të ndikuar”.

Aktori amerikan ndërkaq njoftoi dorëheqjen e tij në një deklaratë të bërë më 1 prill, duke thënë se e ‘kishte tradhtuar besimin e Akademisë’.

/GazetaSinjali/