Psikiatri Sami Rexhepi ka thënë se politika në Kosovë ka rënë nga provimi në kohën e përballjes me koronavirusin.
Në Desk të KTV-së, ai ka thënë se populli i Kosovë ka fituar betejën me Covid-19, por jo edhe politika.
“Këtë betejë me Covid e ka fituar populli. E ka fituar secili që ishte pjesë e ushtrisë, artistët me performime, gjithkush në fushën e vet ka dashur të kontribuojë në fitore të madhe. Vetëmohim i shumë i madh i të gjithë mjekëve, veçanërisht i Klinikës Infektive. Pas kësaj, ajo që ne do të shohim është se do të ndërrojë edhe qasja në shëndetësi. Përpara ishte e përqendruar në pacient, duke investuar në teknologji e gjithçka në fund tregoi se s’është mjaft. Duhet të fillojmë të mendojmë ndryshe, të parandalohet. Jam mirënjohës për popullin e më bën krenar që jam pjesë e popullit e që s’jam pjesë e kastës politike. Kanë dështuar edhe kanë rënë në provim. Kanë përgjegjësi shumë të madhe. Po e them me plot përgjegjësi sepse jam në një moshë që kam kaluar 81-shin me gurë para konvikteve, edhe ndryshimet e viteve të 90-a e luftën”, ka thënë ai.
Sipas Rexhepit, “zhvillimet politike kanë ndikuar në shëndetin mendor më tepër se Covidi”.
“Sepse s’kemi krijuar stabilitet e siguri. Këtu është më e ndjeshme pjesa e re e gjeneratës që s’po sheh perspektivë e të ardhmen e shohin jashtë vendit. Të gjithë janë përgjegjës. Asnjë më pak e asnjë më shumë. Nëse ka ardhur koha që të rinjtë të shohin të ardhmen jashtë vendit, unë kam dështuar si prind, kam dështuar si intelektual. Nuk i ofroj siguri asnjë të riu se mund t’i ofroj shërbim të nivelit evropian qysh ne e dëshmuam se kemi kaluar më mirë se italianët, evropianët e amerikanët e s’lejuam si popull të testojmë limitet e sistemit shëndetësor, nëse kemi. Ne arritëm. Treguam pjekuri, aty ku nuk treguan, dështuan. Pa marrë parasysh që kanë pasur buxhet larg më të madh e mundësi e ekspertë më shumë. Me një grusht epidemiologësh e ndalëm epideminë. Ne nuk arritëm, por sa i përket mungesa e perspektivës më brengos më së shumti. Është ajo që i bën të ndihen të pavlefshëm e dështakë. Mos pyetni atëherë pse ka shumë vetëvrasje. Dua të zgjoj ndërgjegjen e dikujt të mendojë për këtë”, ka përfunduar Rexhepi.