Liga e Kampionëve rikthehet në programet sot (e marte) me ndeshje e fazës së 1/8-ës, shkruan Sinjali Sport.
Kryendeshja e këtij raundi është ajo ndërmjet Paris Saint-Germain dhe Real Madrid.
Dueli i dy gjigantëve evropian sot zhvillohet në “Parkun e Princave” në Paris, me fillim nga ora 21:00.
Derbi i sotëm është i shumëpritur duke i pasur disa fakte interesante, e ato janë:
Përballja e parë e Lionel Messit kundër Real Madridit me një skuadër që nuk quhet Barcelonë.
Ballafaqimi i Keylor Navas, Angel Di Maria, Achraf Hakimi ndaj ish skuadrës së tyre, po ashtu edhe Sergio Ramos, por ish kapiteni i mbretërve mungon sot për shkak të lëndimit.
Dueli i PSG-së me Realin nuk është vetëm brenda fushës, por edhe jashtë, pasi Kylian Mbappe do jetë futbollisti më i përfolur në afatin kalimtar të verës, pasi ai pritet të kalojë te Los Blancos.
Si dhe faktori i fundit është që të dy klubet janë favoritët kryesor për ta fituar garën më të madhe të klubeve dhe lufta pritet të jetë e zjarrtë te dy taborët.
PSG dhe Real Madrid janë përballur 11-të herë mes vete deri tani në të gjitha garat, ku mbretërit kanë gjashtë fitore, parisienët tre fitore dhe dy herë janë ndarë baras.
Në formën momentale skuadra franceze qëndron më mirë, pasi në pesë ndeshjet e fundit kanë katër fitore dhe një humbje, përderisa spanjollët në pesë ndeshjet e fundit kanë dy fitore, dy barazime dhe një disfatë.