image Pse ushtria ruse 'me performancë të dobët' po vazhdon të përparojë në Ukrainë

Botë

Pse ushtria ruse ‘me performancë të dobët’ po vazhdon të përparojë në Ukrainë

news image

Forcat ukrainase e kanë të vështirë t’i parandalojnë sulmet ruse në qendër të fushëbetejës kyçe në Severodonjeck, por Moska ende nuk e kontrollon qytetin lindor, thonë zyrtarët rajonalë.

Severodonjecku dhe qyteti i tij binjak, Lisiçansk, i cili shtrihet përtej lumit Siverski Donjeck, për nga ana strategjike janë të rëndësishëm në përpjekjen e Kremlinit për të kapur rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës. Lufta e zhvilluar, nga e cila deri tash trupat ruse kanë vënë kontroll mbi pjesët të mëdha të Severodonjeckut, mund të ketë një ndikim të madh në fazën tjetër të luftës.

Ndërkohë, fluksi i armëve perëndimore në Kiev vazhdon, por zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se nevojiten sasi më të mëdha dhe të qëndrueshme pajisjesh nëse duan të kenë avantazh ndaj forcave ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë njoftuar për planet që kanë për t’i siguruar Kievit sistemin e shumëfishtë të raketahedhësve (MLRS), të cilat mund të godasin objektiva deri në 80 kilometra larg. Uashingtoni po dërgon, gjithashtu, katër sisteme raketore me lëvizshmëri të lartë M142 (HIMARS) dhe Londra ka rënë dakord të dërgojë një numër të paspecifikuar sistemesh lëshimi M270.

Dërgesat e armëve janë mirëpritur nga Kievi, por Oleksiy Arestovych, një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se nevojiten sasi më të mëdha, veçanërisht të raketave, në mënyrë që forcat e vendit të tij të jenë në gjendje t’i zmbrapsin trupat ruse që po shënojnë përparim.

Për të mësuar më shumë, Radio Evropa e Lirë ka folur me George Barrosin, analist në Institutin për Studimin e Luftës (ISW), me bazë në Uashington.

REL: Beteja kryesore mes forcave ukrainase dhe atyre ruse duket të jetë në Severodonjeck. Si e shihni zhvillimin e betejës dhe çfarë duhet të dinë njerëzit për këtë luftë?

George Barros: Në këtë moment Kremlini ka vendosur t’i heqë nga prioritetet zonat e tjera të vijës së frontit ukrainas, në mënyrë që t’i japë përparësi luftës për Severodonjeckun. Kjo, në fakt, është mjaft interesante, pasi deri në këtë fazë të luftës, Kremlinit i është dashur t’i zvogëlojë objektivat e tij herë pas here. Më 24 shkurt, objektivi fillestar i Putinit ishte të pushtonte Kievin dhe qytete të tjera të mëdha dhe të bënte ndryshimin e regjimit brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Kjo, natyrisht, dështoi.

Më pas, në prill, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ripërcaktoi zyrtarisht qëllimet e të ashtuquajturit “operacioni special ushtarak” rus për të pushtuar vetëm rajonet Donjeck dhe Luhansk. Kjo është interesante, sepse nëse shikoni se si kanë ndryshuar linjat e frontit gjatë një muaji e gjysmë apo më shumë, rusët kanë bërë shumë pak përparime në rajonin e Donjeckut, ata janë fokusuar pothuajse ekskluzivisht në vijën e frontit të Luhanskut, e cila ka të ngjarë të jetë një pikë kulmore për rusët në Severodonjeck. Edhe pse ata nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë shumë përparime në atë territor/hapësirë.

Pra, edhe me këta objektiva të zvogëluar, këto përparime të vogla ruse mbi pjesë të një qyteti ose pjesë të një fshati që janë përhapur gjatë disa ditëve dhe javëve, tregojnë se rusët janë ende shumë keq.

Vlerësimi aktual i [Institutit për Studimin e Luftës] është se nëse rusët arrijnë të përfundojnë pushtimin e Severodonjeckut dhe më pas të kalojnë në kapjen e të gjithë Oblastit të Luhanskut, fushata ruse ka të ngjarë të arrijë kulmin dhe kjo do të bëjë që rusët të bëjnë një pauzë operacionale që të rigrupojnë forcat e tyre dhe të përforcojnë atë që kontrollojnë. Në atë pikë, Putini mund të përpiqet të bëjë një lojë për armëpushim.

Megjithatë, në fakt është e paqartë për mua nëse rusët do të jenë në gjendje të kapin gjithë rajonin e Luhanskut. Severodonjecku është pozicioni i fundit i rëndësishëm ukrainas i mbajtur në rajonin e Luhanskut, i cili ndodhet në bregun e majtë të lumit Siverski Donjeck. Nëse rusët e kapin atë, kjo do të thotë se forcat ruse do të duhet të kalojnë lumin për të arritur në qytetin Lisiçansk, ku edhe ukrainasit kanë përgatitur pozicione mbrojtëse.

REL: Ju thatë se ushtria ruse nuk po performon mirë, por po bën disa përparime dhe po fiton terren tani që po i përqendron forcat e saj. A shihni mundësi që ata do të jenë në gjendje t’i mbajnë këto përparime që po i bëjnë?

George Barros: Duke ecur përpara, pyetja kryesore është nëse ukrainasit do të jenë në gjendje të kryejnë realisht kundërofensiva për të çliruar territorin që rusët kanë marrë që nga fillimi i luftës.

Unë do të thosha se ne nuk kemi parë një aftësi ukrainase për të rimarrë një territor që rusët kanë qenë seriozë për ta mbrojtur. Territori që ukrainasit rimorën në dhe rreth Kievit dhe Harkivit në veri, është kryesisht për shkak se rusët u tërhoqën. U raportua në shumë raste se si forcat ukrainase çlironin këto territore, por në fakt kjo ishte thjesht për shkak të tërheqjes së rusëve dhe hyrjes së ukrainasve.

Mendoj se gjëja kryesore është se për rusët është shumë më e lehtë që të mbajnë territoret që i kontrollojnë sesa të marrin territor të ri. Si dhe anasjelltas për ukrainasit, është më e lehtë për ta të mbrojnë territorin nga sulmet ruse, sesa të rimarrin dhe çlirojë territorin e kontrolluar nga Rusia.

Në jug, ne shohim se rusët, gjithashtu, vendosin kushte për t’i mbajtur ato territore jugore për një kohë të gjatë dhe ka raporte të Qeverisë ukrainase për rusët duke krijuar fortifikime, gjë që tregon se ata synojnë t’i mbajnë ato territore për një kohë të gjatë.

REL: A po thoni atëherë se Rusia është në të vërtetë e aftë të mbajë disa nga këto territore që ka marrë?

George Barros: Nuk dua të nënkuptoj se kjo është përfundimtare, por ajo që dua të them është se për t’i kundërshtuar këto arritje ruse, ukrainasit duhet të demonstrojnë aftësi të reja në fushën e betejës që ne nuk i kemi parë prej tyre.

REL: Ku na çon kjo? Ju po përshkruani diçka afër një ngërçi ose të paktën një luftë të ngadaltë sfilitjeje. Çfarë është e rëndësishme për të parë në javët e ardhshme?

George Barros: Unë mendoj se faktori vendimtar për të ecur përpara është shkalla në të cilën qeveritë perëndimore i ofrojnë Ukrainës armatimin që plotëson kërkesat dhe nevojat për kundërsulm ukrainas.

Ne shohim rrjedhje të llojeve të ndryshme të ndihmës dhe pajisjeve dhe kjo është e mrekullueshme. Megjithatë, për shkak të mënyrës se si rusët kanë shtyrë linjat e frontit deri më tani në disa zona dhe mënyrës se si funksionojnë linjat ruse të furnizimit, ukrainasit kanë nevojë për armë më të mira me rreze më të gjatë efektive për t’i goditur ato kolona logjistike të Rusisë dhe për t’i goditur depot ruse të municionit, shkruan REL.

Pra, unë e shoh ndihmën ushtarake perëndimore si një faktor vendimtar për të siguruar që Putini të mos jetë në gjendje të sigurojë realisht bllokim ose ndonjë lloj situate tjetër, ku në thelb i mbyll të gjitha këto përparime që kanë bërë rusët.

/GazetaSinjali/