Gazeta Sinjali pati raportuar më 31 korrik për arrestimin e dy të rinjve shqiptarë nga Policia kroate në pikën kryesore kufitare malazeze me Kroacinë, Debeli Brijeg. Lidhur me këtë ngjarje kanë folur për Sinjalin nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë, saktësisht Policia kroate.
Sipas Policisë në Dubrovnik, dy të rinjtë shqiptarë janë arrestuar për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
“Lidhur me rastin, ju informojmë se dy shtetas shqiptarë u arrestuan në MCGP Karasovići për shkelje të Ligjit për kundërvajtjet kundër rendit dhe paqes publike dhe pasi përfundoi hetimi penal, ata janë dërguar në Gjykatën Komunale në Dubrovnik”, thuhet në përgjigjen e tyre për Sinjalin.
Një sinjalizues i Sinjalit kishte deklaruar se dy shqiptarët u arrestuan pas kundërshtimeve ndaj Policisë, të cilët u thanë se nuk kishin dokumentacion të rregullt për një këlysh që ata kishin në veturë.