Pas një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, më 4 mars, shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se avionët e saj nuk duhet të fluturojnë në hapësirën ajrore të Ukrainës gjatë konfliktit me Rusinë, pavarësisht thirrjeve të Kievit për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi mbi këtë vend.
Udhëheqësit perëndimorë, deri më tani, e kanë hedhur poshtë idenë, nga frika se kjo do të çonte në përshkallëzim më të madh të luftës.
Çfarë është zona e ndalim-fluturimit?
Zona e ndalim-fluturimit është një zonë e hapësirës ajrore – mbi një vend të tërë ose pjesë të tij – ku nuk lejohet të fluturojë asnjë aeroplan ose ndonjë objekt tjetër ajror, përveç atyre që kontrollojnë hapësirën ajrore.
Ajo zakonisht ndërmerret për t’i mbrojtur civilët në terren gjatë një lufte, si dhe për të lejuar dërgimin e sigurt të ndihmave humanitare.
Ky lloj kontrolli është miratuar në të kaluarën nga Kombet e Bashkuara – për shembull në Bosnje më 1992 dhe në konfliktin libian më 2011. Në të dyja rastet, NATO-ja është ngarkuar me zbatimin e detyrës.
Mbështetja e OKB-së, megjithatë, nuk është gjithmonë e nevojshme. Gjatë Luftës së Gjirit më 1991, kanë qenë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre që kanë krijuar dy zona ndalim-fluturimi në pjesën veriore dhe jugore të Irakut, për t’i mbrojtur pakicat atje.
Çfarë nevojitet për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi?
Një komponent thelbësor për të kontrolluar hapësirën ajrore 24 orë në shtatë ditë është Sistemi i Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror (AWACS).
Avionët AWACS funksionojnë si sisteme radari që zbulojnë gjithçka – nga avionët e tjerë deri te raketat, madje edhe ato që hidhen nga distanca të konsiderueshme.
Përveç monitorimit, nevojiten edhe avionë luftarakë. Ben Hodges, i cili ka qenë komandant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Evropën dhe tani punon në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, me seli në SHBA, thotë: “Ju duhen avionë që janë të përgatitur për [luftimin] ajër-ajër, për të rrëzuar aeroplanë të tjerë”.
“Ju duhen avionë që janë të përgatitur për të rrëzuar dronë. Do të donit të ishit të përgatitur edhe me avionë të tjerë, që mund të godasin objektivat tokësore, për shembull mbrojtjen ajrore. Pra, është një përzierje kapacitetesh që do t’ju duheshin, përfshirë AWACS-in dhe helikopterët që do të përdoreshin për të hyrë dhe për të shpëtuar [pilotët e rrëzuar potencialisht]”, thotë Hodges.
A mund të vendoset zona e ndalim-fluturimit tani mbi Ukrainë?
Nuk ka gjasa. Arsyeja? Frika e Rusisë dhe e Perëndimit për përfshirjen e ushtrisë së njëri-tjetrit në qiell – një situatë që mund ta përshkallëzojë ndjeshëm luftën.
Petr Pavel, gjeneral në pension i ushtrisë çeke, i cili ka shërbyer si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, thotë se zona e ndalim-fluturimi mbi Ukrainë nuk mund të vendoset, sepse do të interpretohej menjëherë si “luftë midis NATO-s dhe Rusisë”.
Sipas tij, ndikimi do të ishte i njëjtë sikur trupat e NATO-s t’u bashkoheshin trupave ukrainase në luftimin e trupave ruse në terren.
E njëjta vlen edhe nëse një anëtar i vetëm i NATO-s, si Shtetet e Bashkuara, përpiqet të krijojë një zonë ndalim-fluturimi më vete.
“Nëse një vend i NATO-s ose NATO-ja si organizatë i bashkohet Ukrainës në luftimin e rusëve, atëherë kjo do të thotë shpallje e luftës midis Rusisë dhe NATO-s”, thotë Pavel.
“Ne do të gjendeshim në një situatë të konfliktit shumë më të madh, me shumë më tepër armë – deri te mundësia e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia”, shton ai.
Hodges thotë se ka edhe arsye të tjera për të qenë të kujdesshëm.
“Ne kurrë nuk do t’i ngrinim pilotët në ajër, nëse nuk do të ishim të përgatitur për shkatërrimin e mbrojtjes ajrore të armikut në tokë”.
“Ne kurrë nuk do t’i ngrinim pilotët në ajër, nëse nuk do të ishim të përgatitur të hyjmë dhe t’i marrim nëse ata rrëzohen”, thotë Hodges.
A mund të vendoset një zonë e pjesshme e ndalim-fluturimit për të lejuar ndihmat humanitare?
Kjo ndoshta do të varet nga Rusia.
“Nëse do të jetë një operacion humanitar, do të duhej të miratohej nga rusët, sepse nëse nuk bien dakord, rusët mund të rrëzojnë një fluturim humanitar”, thotë Pavel.
“Pasi të kemi marrëveshje për një zonë ndalim-fluturimi për qëllime humanitare nga të dyja palët, atëherë jemi në rregull”, thotë ai.
Pse situata në Ukrainë është më ndryshe nga Libia dhe Iraku?
Në Libi dhe Irak, Rusia nuk ka qenë kundër zonave të ndalim-fluturimit. Ajo është pajtuar me komunitetin ndërkombëtar se ato kanë qenë të nevojshme për mbrojtjen e popullatës civile në terren, raporton REL.
Ish-komandanti amerikan, Hodges, nuk e përjashton mundësinë që NATO-ja të ndërhyjë më vonë.
“Mund të vijë një moment kur aleanca thotë se ne nuk mund të qëndrojmë dhe të lejojmë të ndodhë ajo që ka ndodhur në Srebrenicë dhe që ukrainasit të vriten në këtë mënyrë”, thotë Hodges.
“Por, prapë, ju e dini, ajo që e bën aleancën [NATO-n] të madhe është se ju keni fuqinë diplomatike, ekonomike dhe ushtarake të 30 vendeve. Kjo do të thotë se ato duhet të jenë bashkë. Pra, do të duhen konsultime përpara se të merret ai vendim”, shton Hodges.