Partia Socialdemokrate sot do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për rastin e deklarimit të tij si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një komunikate për medie, PSD bën të ditur se kallëzimi penal do të dorëzohet sot në ora 11:00 pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
“Sot, me datën 6 prill (e mërkurë), duke filluar nga ora 11:00, Partia Socialdemokrate do të dorëzoj kallëzim penal ndaj Albin Kurtit për rastin e deklarimit të tij si veteran i UÇK-së. Kallëzimi penal do të dorëzohet pranë Prokurorisë Themelore tek Pallati i Drejtësisë, Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se ditë më para, PSD ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Qeverisë, ku aktivistë të kësaj partie kanë mbajtur në duar një pankartë me anë të së cilës e shpallin kryeministrin Kurti, “Veteran të rrejshëm”.
Kryetari PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri Kurti ka mashtruar për të fituar titullin e veteranit luftëtar.
Sipas tij, Kurti s’ka qenë pjesë e luftës deri në fund siç e parasheh kushti për të marrë titullin e veteranit luftëtar.
“Veterani i parë kryesor i rrejshëm është Albin Kurti”, ka thënë Molliqaj.