Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se do të ngrit padi kundër vendimit të Qeverisë Kurti për ndarjen e 11 milionë eurove për të paguar faturat e papaguara të komunave me shumicë serbe në veri, në rast se nuk tërhiqet ky vendim.
Reagimi i Molliqajt vjen pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e anuloi vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji që t’i paguhet rryma katër komunave veriore në periudhën 2012-2017.
Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se “ Në maj të këtij viti Qeveria ndau 11 milionë euro për të paguar faturat e papaguara të katër komunave në veri. Me 7 maj, bashkë me aktivistë të PSD-së ishim arrestuar duke protestuar kundër vazhdimit të “gjakderdhjes financiare”. Vendimi i sotëm e bën praktikisht të paligjshëm edhe vendimin që u mor në maj. Ky vendim duhet të zhbëhet sa më parë. Përndryshe, një padi për këtë çështje do ta kemi shumë shpejt”.
Përgjatë së hënës, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka marrë nën shqyrtim ankesën e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar si të kundërligjshme pagesën e rrymës në veri.
Gjykata ka obliguar kthimin e 40 milionë eurove si kompensim ndaj qytetarëve të Kosovës, shifër totale kjo e faturuar si shtesë në shpenzimet mujore të energjisë elektrike.
Në maj të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës është miratuar vendimi për ndarjen e 11 milionë eurove si mjet financiar për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), të banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës.
Ky vendim ka kaluar me 61 vota për të deputetëve të Kuvendit të Kosovës./GazetaSinjali/