Partia Socialdemokrate (PSD), ka njoftuar se më 29 janar në orën 14:00 do të mbajnë protestë kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për shtrenjtimin e rrymës, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një konference për media, kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët janë kundër rritjes së çmimit të rrymës që t’i bashkohen protestës së kësaj partie në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
“Ne, si Parti Socialdemokrate bëjmë ftesë publike të gjithë atyre që janë kundër këtij vendimi, e besojmë që shumica janë kundër, që me datën 29 janar, në orën 14:00, të takohemi në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, për të shprehur pakënaqësitë tona. E kemi lidhur datën 29 janar sepse atë ditë përfundojnë ato që quhen konsultime publike dhe është para vendimit të ZRrE-së që do të jetë para datës 1 shkurt.”
“Ne besojmë që nuk ka kurrëfarë diskutimi më të rëndësishëm, më të favorshëm e më të dobishëm për interesin qytetar, sesa ditën e fundit sa ma shumë qytetarë të Republikë së Kosovës të jemi bashkë në shesh, për t’i tregu atë për të cilën ne besojmë që janë të drejta, e që janë shqetësimet e qytetarëve dhe përmes kësaj ZRrE-së t’i tregojmë që jemi të gjithë kundër kësaj”, tha Molliqaj./GazetaSinjali/