image PSD: Janë mbledhur rreth 2 mijë nënshkrime në peticionin për faljen e gjobave gjatë pandemisë

Politikë

PSD: Janë mbledhur rreth 2 mijë nënshkrime në peticionin për faljen e gjobave gjatë pandemisë

news image

Partia Socialdemokrate tash e dy ditë ka organizuar peticionin me moton “Të Falen Gjobat e Pandemisë”, për qytetarët në sheshin e Prishtinës, shkruan Gazeta Sinjali.

Nol Nushi nga kjo parti në një prononcim për Sinjalin bëri të ditur se deri më tash janë mbledhur 2 mijë nënshkrime.

Sipas tij, pas mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve në këtë peticion, do ta dorëzojë në Kuvendin e Kosovës projektligjin për faljen e 200 mijë gjobave ndaj qytetarëve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Grupi prej 10 mijë qytetarëve mundet me prezantu iniciativë ligjore apo projektligj cilën e dorëzon në Kuvend dhe ai futet në procedura të rregullta të Kuvendit që trajtohet në seanca të radhës”, tha Nushi për Sinjalin.

Ai tha se edhe pozita duhet ta votojë këtë projektligj pasi që votoi pro 11 milionë eurove për rrymën e serbëve në Veri të Kosovës.

“Për zyrtarizim nevojiten 10 mijë nënshkrime ne i kemi pas dy ditë pune deri tash. Kemi mbledhur përafërsisht 2000 nënshkrime plus minus se nuk e di saktë sepse janë dorëzuar edhe lista të tjera. Duhet të dërgojmë fillimisht në Kuvend e të shohim disponimin e partive.

Nuk kam pa ndonjë deputetë apo ndonjë zyrtarë partiakë që ka thënë që kjo është iniciativë e gabuar. Edhe unë mendoj që kur të del puna te ligji nuk kanë si mos ta votojnë, janë të njëjtit deputetë sidomos këta të pozitës që kanë votuar 11 milionë euro për rrymën e serbëve në Veri të Kosovës. Kur nuk ke vaksina, kur nuk ke ndihmë ekonomike për qytetarët të paktën mos i ngarko me gjoba shtesë”, tha ai.

Po ashtu, Nushi bëri të ditur për Sinjalin se ky aksion do të vazhdojë edhe në komuna tjera.

“Edhe nesër jemi në Prishtinë. Prej pasnesër do ta publikojmë edhe orarin për secilën komunë veç e veç, nuk do ta lëmë pa i vizituar secilën Komunë”, shtoi Nushi për Sinjalin./Gazeta Sinjali/