image PSD-ja s'ka qëndrim për rrahjen mes Molliqajt e Abazit

Kosovë

Dhuna/ PSD-ja s’ka qëndrim për rrahjen mes Molliqajt e Abazit

news image

Partia Socialdemokrate e kishte dërguar kandidatin për deputet, Dardan Molliqajn në një debat teliviziv më 11 shtator, ku do të merrte pjesë edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Përfaqësuesit e dy subjekteve politike ishin përfshirë në përleshje fizike, pas debatit i cili ishte i shoqëruar me tensione, akuza e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Përleshja verbale mes Molliqajt e Abazit kishte eskaluar në dhunë fizike në korridorin e një kolegji, teksa po dilnin nga studioja e improvizuar televizive ku po trasmetohej emisioni, ndërsa e tërë ngjarja ëshë filmuar nga kamerat e sigurisë.

Reagimet dhe interpretimet pas rrahjes ishin të ndryshme nga individë të përfshirë ose jo në këtë incident, por Partia Socialdemokrate nuk e ndjeu aq të rëndësishme, sa të dal me një qëndrim zyrtar për ngjarjen, shkruan Gazeta Sinjali.

Madje, PSD nuk e ka diskutuar asnjëherë këtë çështje as brenda partisë.

Gazeta Sinjali ka provuar sot të marrë vesh arsyet se pse PSD nuk ka ende një qëndrim zyrtar për këtë ngjarje, por diçka e tillë nuk ka qenë e mundur.

As zyrtari për media i koalicionit AAK-PSD, Shkodran Hoti, e as zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, nuk kanë treguar arsyet për këtë indiferencë.

Kuçi ka thënë se nuk e di nëse kjo çështje është diskutuar brenda partisë, por shton se nuk ka asgjë për të deklaruar përpos asaj çfarë ka thënë Molliqaj.

Në anën tjetër, partia ku është anëtar Abazi, Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar për këtë konflikt fizik edhe më 11 shtator, por edhe mbrëmë, pasi Gazeta Sinjali publikoi pamjet e regjitruara nga kamerat e sigurisë.

VV ka thënë se “ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë”.

Kurse mbrëmë, VV ka reaguar përsëri duke e konsideruar krim rrahjen mes Molliqajt e Abazit. Ndërkaq për Molliqajn, VV tha se “këto imazhe e vulosin si njeri të dhunshëm e si mashtrues”.

Rasti është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe deri më tash janë ndërmarr një varg veprimesh hetimore. /Gazeta Sinjali/