Pas arrestimit të kreut të tyre Dardan Molliqajt, Partia Socialdemokrate e Kosovës, ka dalë me një konferencë për media në orët e vona.
Anëtari i kryesisë i kësaj partie, Dren Kukaj tha se do të kërkojnë llogari për arrestimin që i është bërë aktivistëve të tyre, raporton Gazeta Sinjali.
“Nuk i është prezantuar fletarresti as në momentin kur është arrestuar e as brenda stacionit. Kemi kuptuar se fletarresti është lëshuar pasi është realizuar operacioni policor. Ka qenë 15 minuta pasi ka shkuar në stacion, kur ka filluar të përpilohet fletarresti. Ne nuk na është dhënë, vetëm një ‘screenshoot’ na është dërguar dhe nga ora e kemi parë se është përpiluar pas arrestimit”, tha Kukaj.
Po ashtu, ai tha se një kohë ka qëndruar në stacion policor pas arrestimit të Molliqajt.
“Nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje fizike por sjellja ka qenë jo profesionale ka qenë arrogante, arroganca ka qenë e panevojshme”, deklaroi Kukaj.
Përmes kësaj konference zëdhënësja e kësaj partie Natyra Kuçi tha se partia e tyre nuk do të zmbrapset dhe se mbledhja e rreth 3 mijë personave në protestë e ka frikësuar Albin Kurtin.
Molliqaj akuzohet për “sulm ndaj personit zyrtar” në protestën e së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës.
Përveç Molliqajt, është arrestuar edhe aktivisti tjetër i PSD-së, Adem Mexhuani. /GazetaSinjali/