image "Provuan t'i intimidojnë": Raporti i Amerikës i mëshon Qeverisë edhe për gazetarët, jo veç për korrupsionin

Politikë

“Provuan t’i intimidojnë”: Raporti i Amerikës i mëshon Qeverisë edhe për gazetarët, jo veç për korrupsionin

news image

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për Kosovën për vitin 2021 dhe ndër të tjera është shkruar edhe për lirinë e medias në Kosovë.

Sipas raportit të DASH-it, ndonëse thotë se nuk ka pasur raportime për censurë të drejtpërdrejt të mediave të shkruara ose elektronike, përmendin ankesat e gazetarëve se politikanët dhe grupet e organizuara kriminale shpesh rezultojnë në autocensurë.

Fjala “media” përmendet plot 27 herë në këtë raport. Më specifikisht, për këtë çështje nis të flitet në seksionin për “Respektimin e lirive qytetare”.

“Raportime kredibile ngulmuan që zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe religjioze provuan të intimidojnë përfaqësues të mediave,” – shkruhet mes tjerash në hyrje të këtij raporti.

Ndërkohë, një fjali që do t’i bëjë të ndihen mirë të gjithë gazetarët që kanë pasur vështirësi të marrin dokumente publike nga Qeveria e Kosovës thotë si vijon:

“Gazetarët kanë hasur në vështirësi në marrjen e informacioneve nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht ligjeve që ofrojnë qasje në dokumente publike.”

Sa i përket lirisë së shprehjes, përmendet një rast se si Ministria e Shëndetësisë i kishte fshirë një gazetari komentet dhe ia kishte bërë bllok në faqen e rrjeteve sociale të ministrisë.

Në raport përmendet se si Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka raportuar se kishin qenë shënjestër e fushatave digjitale të linçimit në disa raste kur kanë mbrojtur gazetarët dhe mediat.

Po ashtu, aty përmendet se si deri në dhjetor, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte raportuar 29 raste të sulmeve fizike apo kërcënimeve berbale ndaj gazetarëve nga zyrtarë qeveritarë, liderë politikë, staf gjyqësor, interesa biznesore apo grupe tjera.

“Gazetarët janë ankuar po ashtu se pronarët e mediave i kanë parandaluar ata që të raportojnë për korrupsionin e nivelit të lartë qeveritar,” – shkruhet tutje në raportin e DASh.

/GazetaSinjali/