Policia e Shtetit, me anë të një deklarate për mediat në lidhje me protestën që u zhvillua sot në selinë e Partisë Demokratike, bëri me dije se po mblidhen provat dhe po punohet për vënien para drejtësisë të autorëve të episodeve të dhunshme.
“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës. Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme”, lexohet në deklaratë.
“Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë”, shton Policia e Shtetit./GazetaSinjali/