image Propozimi për shtyrje të afatit për targa, pozita: Sikur të ishte dëgjuar SHBA në 98-tën, tash do të kishim ambasador amerikan nga Beogradi

Politikë

Propozimi për shtyrje të afatit për targa, pozita: Sikur të ishte dëgjuar SHBA në 98-tën, tash do të kishim ambasador amerikan nga Beogradi

news image

Foto ilustruese


Ka nisur numërimi mbrapa për pronarët e makinave që posedojnë targa që i lëshojnë autoritetet serbe. Pas 31 tetorit, ata nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës, e as të kalojnë kufirin. Kjo pasi është data kur kalon afati i vendosur nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave në RKS – Republika e Kosovës. Makinat me targat që i lëshon Serbia që përmbajnë akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, PR, PZ, GL etj. – do të konsiderohen të paregjistruara pas pesë ditësh, shkruan Gazeta Sinjali.

E këtë vendim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se nuk do ta shtyjë ashtu siç i është kërkuar nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Deputeti i partisë në pushtet, LVV-së, Fatmir Humolli tha për Sinjalin se situata është e njëjtë me atë të tentimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës e ka situatën nën kontroll është situatë e njëjtë sikur për zgjedhjet serbe që donin t’i bënin në Kosovë. Kam përshtypje më shumë po dramatizohet nga mediat tona sesa që është gjendja reale”, u shpreh ai.

E sa i përket propozimit të SHBA-së, Humolli u shpreh paksa skeptik. Ai u shpreh se në këtë rast, Kosova duhet të tregohet e pjekur që të marrë vendime vet dhe jo me propozime të të tjerëve.

“Në bazë përvojës time personale, në vitin 1998-të SHBA-ja ka qenë kundër luftës së UÇK-së, zyrtarisht, jo publikisht. Sikur të jetë dëgjuar SHBA-ja, sot nuk do ta kishte dërguar ambasadorin amerikan në Prishtinë por do të ishte kujdes ambasadori amerikan nga Beogradi për Kosovën dhe nuk duhet ta shohim politikën amerikane siç po shihet nga kënde jo-profesionale dhe veprime emocionale.

Politika amerikane është pro-shqiptare, pro-shtetit të Kosovës dhe nuk bjen në atë nivel për me na eduku dhe mësu për veprime fëmijërore se çfarë duhet t’i bëjmë. Ne jemi pro shtetit atëhere shteti duhet të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës”,  tha ai.

Vendimi për targat ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas incidenteve të armatosura dhe duke vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

E një situatë të tillë, njohësi i sigurisë Nuredin Ibishi pret që të ndodh sërish.

Ibishi tha se nëse nuk arritët një marrëveshje për targat, atëherë tensionet do të jenë të pranishme  me direktivat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Nëse nuk ka marrëveshje para datës 31 tetor, tensionimet në Veri vjen direkt nga urdhërdhënia nga Vuçiqi. Ai i aktivizon dhe ju jep leksione strukturave të ekstremistëve në Veri”, u shpreh Ibishi.

Në anën tjetër, anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj tha se kryeministri i vendit duhet të koordinohet me SHBA-të.

Megjithatë, shtyrjen e afatit për targat nuk e sheh si zgjidhje.

“Është mirë që Kurti të koordinohet me partnerët strategjik, sidomos me SHBA-të. Mirëpo mendoj që Kurti duhet ta mendoj ofertën që e ka bërë ndërmjetësuesi amerikan. Nëse është një marrëveshje që ja vlen të shtyhet, mendoj se duhet të dëgjohet në të kundërtën mendoj se Qeveria ka të drejtë, vendimi që rrjedh nga ligjet dhe Kushtetua e Kosovës që ky parim i reciprocitetit të nis zbatimi që nga 1 nëntori. Si anëtar i komisionit mendoj se ky vendim duhet të implementohet gjithsesi”, tha Qalaj për Sinjalin.

Në anën tjetër, shton se serbët lokalë përmes preisonit të Vuçiqit kanë refuzuar t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS.

“Ata nuk e kanë zbatuar këtë sepse kanë pas presion direkt nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Institucionet e tjera të sigurisë kanë pas kohë të mjaftueshme të bëjnë analiza për skenarë të ndryshëm dhe pavarësisht si do të sillen pjesëtarët e bandave kriminale të mbështetur nga Serbia mendoj se institucionet duhet ta vazhdojnë implementimin e këtij vendimi”, tha Qalaj.

Ndryshe, shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj, Kosovës ia kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri.

Zgjatje të afatit për heqjen e targave ilegale kanë kërkuar edhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Mitrovicën Veriore.

Vendimi i ekzekutivit për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

/GazetaSinjali/