image Propozimi i Qeverisë nuk kalon, shkak dy deputetët e VV-së

Politikë

Propozimi i Qeverisë nuk kalon, shkak dy deputetët e VV-së

news image

Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, ia kanë hedhur poshtë Qeverisë Kurti propozimin për shkarkimin e vetëm një anëtareje të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Rrahmani dhe Korenica nuk kanë votuar pro propozimit të Qeverisë së Kosovës, të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, për shkarkimin e Kimete Gashit, anëtares së OSHP-së, me arsyetimin se ajo kishte nënshkruar një vendim të dëmshëm lidhur me tenderin për insulina.

Qeveria e ka miratuar në maj të këtij viti propozimin për shkarkimin e Kimete Gashit dhe atë ia kishte proceduar kuvendit.

Vet shefi i qeverisë e ka propozuar shkarkimin e Gashit.

“Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet furnizimi me insulina pa autorizim marketingu”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë më 10 maj. “Detyrohemi të marrim masa”.

Rrahmani, në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Buxhet, ka kërkuar që qeveria ta ndryshojë propozimin. Ka rekomanduar shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të OSHP-së, e jo vetëm shkarkimin e Gashit.

“Në bazë të konkludimeve që i kemi pasur në këtë komision, edhe sipas deklarimeve të vet qeverisë, është konstatu se përgjegjës janë të gjithë anëtarët e bordit. Dhe, si i tillë, unë mendoj se nuk kemi të drejtë t’i rekomandojmë kuvendit shkarkimin e vetëm një anëtareje të bordit. Kështu që, unë propozoj që qeverisë t’i kërkohet të vijnë të gjithë emrat e atyre që kanë qenë përgjegjës të këtij vendimi mbi të cilin është mbështetur qeveria për shkarkimin e anëtares [Kimete Gashi]”, ka thënë Rrahmani.

/GazetaSinjali/