Jeton Buquku, pronari i kompanisë për përpunimin e mishit “BUQUKU”, i cili u arrestua më 1 tetor të këtij viti gjatë mega-aksionit të policisë “Karaçeva”, ka pranuar fajësinë për “kontrabandë”, por i njëjti i ka shpëtuar burgut për këtë vepër, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se Buquku dhe mbrojtësi i tij kanë arritur marrëveshje me Prokrurorinë e Shtetit.
Sipas kësaj marrëveshje, Gazeta Sinjali mëson se Buquku ka pranuar fajësinë në këmbim të një dënimi me gjobë në lartësi prej 15 mijë euro.
Kjo marrëveshje është arritur në raundin e dytë, pas përfundimt të masës prej një muaji paraburgim ndaj Buqukut.
Gazeta Sinjali mëson nga burimet e saja brenda Prokurorisë Themelore në Gjilan se shumica e të arrestuarve në rastin “Karaçeva” kanë pranuar fajësinë.
Mbetet i paqartë fakti që edhe pse ky rast bëri bujë shumë të madhe, ende asnjë nga të arrestuarit nuk është dënuar me burgim efektiv.
Gazeta Sinjali pati raportuar se që nga muaji dhjetor 2019 e në vazhdimësi Buquku në cilësinë e personit përgjegjës në biznesin “BUQUKU” në Pejë, me qëllim të shitjes, dyshohet se ka prodhuar artikuj ushqimorë, gjegjësisht prodhime mishi, pa u bërë kontrolli i nevojshëm, nga gjedhet e kontrabanduara në fshatin Karaçevë të Kamenicës./Gazeta Sinjali/