image Prokuroria përgënjeshtron asistentin e Kurtit, tregon se çfarë ndodhi pas arrestimit të tij

Drejtësi

Prokuroria përgënjeshtron asistentin e Kurtit, tregon se çfarë ndodhi pas arrestimit të tij

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë pretendimet e Arianit Beqirit, asistenti i ish-kryeministrit, Albin Kurti, se ndaj tij është kërkuar ngritja e aktakuzës, për shkak të instalacionit “Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, që Beqiri e vendosi sot në shesh, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo prokurori njofton se Beqiri është intervistuar nga policia dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas kësaj prokurorie, Beqiri as nuk është ndaluar dhe ndaj tij nuk është ngritur aktakuzë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit korrekt njofton opinionin lidhur me shkrimet se është ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet A.B., pas shfaqjes së veprës artistike para objektit të Qeverisë, duke ju njoftuar se i njëjti vetëm është intervistuar nga Policia e Kosovës, në të njëjtën kohë, sqarojmë opinionin se Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtit e as nuk është ndaluar me urdhër të prokurorit kujdestar të kësaj prokurorie”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Arianit Beqiri, është ftuar në Policinë e Kosovës pas përfundimit të instalacionit të tij, “Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike” para Qeverisë.

Instalacioni “Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike” i Beqirit është hapur sot në mëngjes para objektit të qeverisë, si protestë artistike ndaj pakos emergjente të Qeverisë së Kosovës.

Përmes Facebook, Beqiri ka konfirmuar se pas përfundimit të shfaqjes është ftuar të paraqitet në Policinë e Kosovës për të dhënë deklaratë, por ai ka pretenduar se prokurori kujdestar ka kërkuar që ndaj tij të ngrihet aktakuzë.

“Ndonëse u prit të deklarohem vetëm sa për procedurë, prokurori kujdestar kërkoi që të ngrihet aktakuzë ndaj meje me pretendimin për kërcënim”, ka shkruar Beqiri në Facebook. /Gazeta Sinjali/