image I jepet lamtumira e fundit policit të vrarë në Prishtinë, qindra pjesëmarrës

Sociale

I jepet lamtumira e fundit policit të vrarë në Prishtinë, qindra pjesëmarrës

news image

Të premten pak para mesnatës, Lirim Haxholli mbeti i vrarë pasi dyshohet se u qëllua aksidentalisht me armë nga kolegu i tij në Zllatar të Prishtinës, shkruan Gazeta Sinjali.

Familjarë, zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe mijëra qytetarë i dhënë lamtumirën e fundit sot policit, Lirim Haxholli, djalit të vetëm në familje.

Zyrtarët policorë bën nderime duke vendosur edhe kurora lulesh. Ndërsa, toger Zymer Islami u shprehi ngushëllime familjes në emër të Stacionit Policor.

“Në emër të Stacionit Policor Qendra, ngushëllime gjithë familjes dhe gjithë kolegeve. Lirimi ishte një shëmbëlltyrë për Policinë e Kosovës, për kolegë dhe shokë. Stacioni policor qendra në emër të gjithëve iu shpreh ngushëllime në emër gjithë pjesëmarrësve kërkoj një minutë heshtje”, tha ai.

Lirimi është varrosur sot në varrezat në Dragodan të Prishtinës.

Ndërkohë, lidhur me rastin Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për 6 zyrtarët policorë të cilët u arrestuan pas festës tragjike në Zllatar.

Fatlumit, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje” i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji. 

Ndërsa për 5 zyrtarët policorë të tjerë Gëzim Tahiri, Enis Imeri, Florent Ahmeti, Elit Thaqi dhe Bleart Misiri, është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprat penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. 

Gazeta Sinjali sot raportoi se ndonëse në natën tragjike kur aksidentalisht humbi jetën zyrtari policor Lirim Haxholli, u vendos që zyrtarët policorë që nuk kishin përdorë armën të trajtoheshin vetëm si dëshmitarë, tashmë statusi i tyre ka ndryshuar.

Burime të Sinjalit brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se Prokurorja e çështjes Besa Limani ka vendosur që 9 zyrtarët policorë t’i marrë në cilësi të dyshuarit për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

15 zyrtarë policorë janë të suspenduar nga IPK për 72 orë dhe nesër pritet t’ju vazhdohet suspendimi.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim për të gjithë ata që nuk i lajmërojnë rastet, për të cilat kryerësit e tyre duhet të përgjigjen para ligjit.

Vepra penale: “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” qartëson se: “Kushdo që është në dijeni për identitetin e kryesit të një apo më shumë prej veprave penale në vijim dhe nuk e lajmëron faktin e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/