image Aktakuzë ndaj tre IT-ve të QKUK-së për keqpërdorim të mbi 100 mijë eurove

Drejtësi

Aktakuzë ndaj tre IT-ve të QKUK-së për keqpërdorim të mbi 100 mijë eurove

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër tre IT-ve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pasi që të njëjtit dyshohen për mashtrim prej më shumë se 100 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, në dhjetor të 2020-s, Leotrim Jahja, F.H., dhe Y.K.,  të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës në cilësinë e zyrtarëve të departamentit të teknologjisë informative (IT), kishin nënshkruar një raport fiktiv që ishte në kundërshtim me gjendjen faktike, duke i shkaktuar dëm material QKUK-së në shumë prej gati 105 mijë eurove.

Ata dyshohet se kishin nënshkruar kontratën si punë të kryer, por në fakt s’i kishin kryer instalimet e kamerave, siç ishte paraparë, në kuadër të tenderit për furnizim dhe monitorim të sistemit të integruar me kamera, me kompaninë “Artech”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë, po ashtu i njëjti ka propozuar që të pandehurve t’u shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, konform dispozitave të KPRK-së, thuhet në komunikatë.

Sinjali mëson se rasti ishte dërguar në Polici nga Menaxhmenti i QKUK-së, i cili kishte pezulluar nga puna tre punonjës të IT-së, në mesin e tyre edhe të arrestuarin e sotëm, Leotrim Jahjën.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/