image Prokuroria Speciale: Janë identifikuar 44 të dyshuar për masakrën e Dubravës

Drejtësi

Prokuroria Speciale: Janë identifikuar 44 të dyshuar për masakrën e Dubravës

news image

Hetimet lidhur me masakrën e kryer në Burgun e Dubravës janë duke vazhduar. Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës, pasi që kjo e fundit iu është përgjigjur deputetit të LVV-së, Enver Dugolli, i cili është i mbijetuari i kësaj masakre.

Dugolli ka thënë se Prokuroria duhet të “zgjohet nga gjumi” dhe të dëgjojë rrëfimet e të mbijetuarve.

PSK në njoftim ka shkruar se“për hir të korrektësisë, ju njoftojmë se fillimisht, ky rast ka qenë i pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurve dhe ruajtjes së afatit ligjor prej 2 vitesh të hetimeve. Mirëpo, me miratimin e plotësim-ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, në qershor të vitit 2021, me ç‘rast është hequr afati i hetimeve dhe është lejuar gjykimi në mungesë, dosja penale është riaktivizuar për procedurë hetimore”.

Në këtë fazë të procedurës, prokuroria bën të ditur se hetimet kanë arritur të identifikojnë rreth gjashtëdhjetë të dëmtuar, të cilët janë intervistuar, duke përfshirë edhe Enver Dugollin dhe Bedri Kukalaj.

“Sipas shkresave të lëndës, Enver Dugolli, u  intervistua më datë 06.11.2013, kurse, Bedri Kukalaj, u  intervistua më datë 04.08. 2011, nga Prokurori i EULEX-it në PSRK. Deri më tani hetimet kanë arritur të identifikojnë dyzetekatër (44) të pandehur të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kryerjen e veprës  penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”  e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish RSFJ-së  si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’)”.

PSRK ka bërë të ditur se janë duke ndërmarrë veprime procedurale hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit, mirëpo për shkak të konfidencialitet të procedurës, sipas tyre nuk mund të ndajnë më shumë informacione për publikun.

/GazetaSinjali/