image Prokuroria jep detaje për aksionin në Pejë, Klinë e Istog: Janë angazhuar pesë prokurorë

Siguri

Prokuroria jep detaje për aksionin në Pejë, Klinë e Istog: Janë angazhuar pesë prokurorë

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi ekskluzivisht për aksionin që Prokuroria Themelore në Pejë është duke e kryer në bashkëpunim me Njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, me qëllim të arrestimit të disa zyrtarëve të dyshuar për “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Aksioni është duke u zhvilluar në Komunën e Pejë, Komunën e Klinës dhe atë të Istogut.

Prokuroria ka konfirmuar që aksioni është zhvilluar mbi dyshimet për veprën penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndaj disa zyrtarëve komunalë për ndërtimet e paligjshme.

Sipas prokurorisë në këto aksione janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit.

Ndërsa, prokuroria nuk ka dhënë detaje nëse ka të arrestuar.

Mirëpo, Gazeta Sinjali ka publikuar pamje nga arrestimi i inspektorit të ndërtimit në Komunën e Pejës, Bajram Muzlijaj, derisa pritet të ketë edhe arrestime të tjera.

Bastisjet përveç në objektet komunale, Sinjali ka informacion se po zhvillohet edhe në banesa dhe në shtëpi private.

Sinjali mëson se subjekt i hetimit janë edhe disa operatorë ekonomikë, që operojnë në fushën e ndërtimit, në veçanti nga viti 2018 e këndej.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinioni publik se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ ndaj disa zyrtarëve komunalë, lidhur me ndërtimet e paligjshme. Për këto veprime në terren janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e këtij aksioni.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/