image Prokuroria i bën të barazvlefshme dy raportet kontradiktore për vdekjen e Astrit Deharit

Kosovë

Hetimi/ Prokuroria i bën të barazvlefshme dy raportet kontradiktore për vdekjen e Astrit Deharit

news image

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka publikuar konkluzionet e raportit të ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit.

Raporti hedh dyshim të madh se Astrit Dehari mund të jetë vrarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ndërkohë që e përjashton pothuajse tërësisht mundësinë që ai të ketë bërë vetëvrasje.

Prokuroria, duke premtuar hetim të ri për këtë rast, përmes një komunikate ka thënë se për ta vlen njësoj edhe autopsia e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, që kishte dalë pak ditë pas vdekjes së Deharit, e cila konstatonte se Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje duke e ngulfatur veten me një mjet të fortë, shkruan Gazeta Sinjali.

Prokuroria e Prizrenit thotë se do t’i dëgjojë edhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, por dhe ekspertët e Insitutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për sqarimin e raporteve të tyre, dhe nëse është e domosdoshme “do të bëhet një super-ekspertizë jashtë vendit në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes”.

Përveç përfundimeve, ekspertiza e Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe ajo e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës kanë kundërthënie të madhe edhe në përmbajtje.

Madje një konluzion për ADN-në, i përshkruar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Lozanës përgënjeshtron atë të autopsisë së Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

“Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vejnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmban pak ose shumë pak ADN”, thuhet në konkluzionin e dytë të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Dyshimi i madh për rrethanat e vdekjes së tij nisi qysh në ditën kur ai vdiq. Policia, Prokuroria e Shërbimi Korrektues kishin lëshuar deklarata kundërthënëse lidhur me rrethanat e vdekjes së tij. Enigma që krijuan këto deklarata vazhdon të qëndrojë edhe sot e kësaj dite.

Prokurori i Shtetit tha sot se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjën e plotë të këtij rasti. /Gazeta Sinjali/