Në orët e para të së dielës, Policia ndërhyu në lokalin ‘Ponte Lounge’ në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku i dyshuari Dardan Berisha, gjuajti disa herë me armë. Gjuajtja me armë i kushtoi 33-vjeçarit me arrestim, por ai shpëtoi nga masa e ndalimit policor. Edhe pse u kap me dy armë, rreth 70 fishekë dhe dyshohet se shkaktoi rrezik të përgjithshëm, dora e Prokurorisë ndaj tij ishte e butë dhe i njëjti është lënë i lirë. Berisha u mbajt 6 orë në stacion policor derisa u këndell pasi ishte i dehur dhe më pas u lirua.
Që nga dje Sinjali ka tentuar të marrë një konfirmim zyrtar nga Prokuroria Themelore në Prizren, por të njëjtit, duke përfshirë edhe kryeprokurorin, nuk kanë kthyer përgjigje e as nuk kanë qenë të qasshëm në telefonatat e redaksisë.
Gazeta Sinjali ka raportuar gjatë ditës së djeshme se Dardan Berisha ka shtënë katër herë me armë zjarri në kafaterinë ‘Ponte’ dhe më pas duke tentuar të ikë është aksidentuar. 33-vjeçari po dyshohet për disa vepra penale, rrezikun që e ka shkaktuar me armë, mbajtjen e armëve në kundërshtim me ligjin dhe rrezikimin e trafikut.
Këto dyshime nuk e kanë bindur Prokurorin e Shtetit që të urdhërojë ndalimin e të njëjtit, por ka vendosur që ta lirojë, për ta hetuar në procedurë të rregullt, edhe pse Berisha dyshohet për vepra të tjera.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, posa Policia ka arritur ta identifikojë Berishën dhe ta kap, gjatë kontrollit policor në veturën e tij u gjet arma e përdorur dhe një armë gjysmë automatike si dhe 69 fishekë, që u sekuestruan bashkë me gëzhojat që janë gjetur në lokacionin ku ai ka gjuajtur katër herë.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku pasi i është nënshtruar alkotestit, ka rezultuar se është në gjendje të dehur. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër që të iniciohen rastet për dy vepra penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia gjatë ditës së djeshme, por nuk kanë dhënë detaje, teksa në raportin 24-orësh e kanë përmendur si incident që ka ndodhur, duke mos e cekur veprën për armëmbajtje pa leje, siç veprojnë në rastet e tjera kur bëhet fjalë për më shumë se një vepër penale.
“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM Prizren 18.12.2022 – NN. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në gjendje të dehur ka shtënë me armë zjarri në një lokal. I njëjti është arrestuar dhe gjatë kontrollit në veturën e tij janë gjetur dhe janë sekuestruar një pistoletë, një pushkë gjysmë automatike, 69 fishekë dhe 4 gëzhoja. Me vendim të prokurorit i dyshuari është ndaluar deri në këndellje dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.