Dje Policia në Gjilan njoftoi se janë arrestuar katër persona për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik”. Tre prej tyre ishin zyrtarë të komunës së Kamenicës e një ishte biznesmen. Sinjali mësoi se bëhet fjalë për Pëllumb Jashari, Ismajl Zubaku, Florim Demolli dhe biznesmeni Avdi Koca.
Mirëpo sot, Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ndaj Kocës, Jasharit dhe Demollit është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se Koca ka shkelur rregullat e prokurorimit publik gjatë ofertës për dhënie të kontratës së prokurorimit publik me titull “Furnizim me dollapë për shkolla” në komunën e Kamenicës, pasi nuk i ka zbatuar detyrimet që dalin nga kontrata me përfitim për vete duke i shkaktuar dëm buxhetit të komunës në shumë 35.731.50 euro.
Me këto veprime dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Ndërsa, të pandehurit P.J., I.Z. dhe F.D., më 13 Nëntor 2020, kanë keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që pa u siguruar lidhur me sigurimin dhe pranimin e mallit kanë nënshkruar raportin e pranimit të mallit në tenderin e lartshënuar, ku pa e pranuar mallin në kundërshtim me ligjin i kanë transferuar mjetet prej 35.731.50 € operatorit ekonomik ARF SHPK – Fushë Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.
Në këtë mënyrë, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ të KPRK-së.
cShënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/