Pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë parë sot duke hyrë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë pas raportimeve se në këtë shtëpi të moshuarit po keqtrajtohen nga stafi.
Sipas informacioneve të para, zyrtarët policorë ende ndodhen brenda kësaj shtëpie ku po merren veprimet e nevojshme, teksa edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për ta zbardhur këtë rast.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë iu njofton se pas publikimit të hulumtimit në emisionin “Kiks Kosova”, mbi dyshimet për keqtrajtim të moshuarve brenda shtëpisë së të moshuarve në Prishtinë, nga monitorimi i mediave menjëherë Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave. Po ashtu, iu njoftojmë se aktualisht çdo informatë lidhur me këtë çështje është duke u verifikuar e shqyrtuar nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim të plotë me Policinë, andaj inkurajojmë çdo qytetar i cili ka informacione lidhur me këtë çështje të bashkëpunoj me organet e hetuesisë, me qëllim të ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë çështje”.
Kujtojmë se ky rast vjen pas ngjarjes tronditëse që ndodhi në Qendrën e të Moshuarve në Pejë “Orenda”, ku disa infermiere kanë sulmuar fizikisht një grua të moshuar dhe kanë incizuar pamjet e rrahjes. Kjo shtëpi është mbyllur, teksa të dyshuarat ndodhen në paraburgim.