image Prokuroria bindet nga fjalët e gruas për ta liruar burrin që dyshohet se e rrahu

Drejtësi

Prokuroria bindet nga fjalët e gruas për ta liruar burrin që dyshohet se e rrahu

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar pas lajmit se një prokuror ka urdhëruar lirimin e të denoncuarit për dhunë ndaj gruas së tij në Lipjan, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas këtij reagimi pas intervistimit të të dyshuarit dhe viktimës, kjo e fundit ka deklaruar se kanë biseduar dhe ka kërkuar që të kthehet në shtëpi me bashkëshortin e saj.

“Kemi bisedu, nuk kemi pas ndonjë problem, më tha shko te familja jote rri ndonjë ditë dhe vjen me më marrë pas disa ditësh, po më tha problem nuk du mem bo në shtëpi, unë i thash kthehem sërish te ti”, shkruhet në komunikatë.

Komunikata e plotë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, sqaron për opinionin publik rastin lidhur me lajmin e publikuar “Prokurori urdhëron lirimin e të denoncuarit për dhunë ndaj gruas së tij në Lipjan”, se prokurori kujdestar nga Njësiti i Dhunës në Familje, është njoftuar nga Policia e Kosovës për këtë rast, të cilin e ka iniciuar për veprën penale “Dhuna në familje”, nga neni 248 i KPRK-së, ashtu që, i njëjti ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve të tij ligjore.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, janë intervistuar i dyshuari, ankuesja dhe dëshmitari, me ç’ rast në deklaratën e dhënë ankuesja ka theksuar “kemi bisedu, nuk kemi pas ndonjë problem, më tha shko te familja jote rri ndonjë ditë dhe vjen me më marrë pas disa ditësh, po më tha problem nuk du mem bo në shtëpi, unë i thash kthehem sërish te ti”.

Prokurori i kësaj çështje, pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore të dyshuarin e ka liruar në procedurë të rregullt, mirëpo rasti në fjalë vazhdon të trajtohet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështje penale.​

/Gazeta Sinjali/