Qerim Kelmendi, ish-ushtari i UÇK-së është vrarë mëngjesin e sotëm në fshatin Zahaq të Pejës, afër shtëpisë së tij. Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se Kelmendi ishte vrarë me breshëri plumbash si dhe më pas i ishte djegur vetura së bashku me trupin e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Zyrën e Prokurorit të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale për rastin e Kelmendit. E pyetur nëse Kelmendi ishte intervistuar ndonjëherë nga hetuesit e Gjykatës Speciale, ata nuk e kanë konfirmuar e as nuk e kanë mohuar.
Christopher Bennett, nga kjo zyra në një përgjigje të shkurt me shkrim i ka thënë Gazetës Sinjali se nuk i komenton hetimet, kur është pyetur nëse është intervistuar ndonjëherë Qerim Kelmendi.
“Faleminderit për mesazhin tuaj. Zyra e Prokurorit tё Specializuar nuk komenton hetimin”, ka qenë përgjigja e shkurt e Bennett për Gazetën Sinjali.
E gjithë ngjarja besohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm afër shtëpisë së Qerim Kelmendit.
Gazeta Sinjali nga burimet e sigurta ka kuptuar se Kelmendi është vrarë në makinën e tij. Aty dyshohet se janë përdorur breshëri plumbash si dhe më pas i është vënë flaka veturës së tij.
Nipi i Qerim Kelmendit, Ali Kelmendi i ka thënë Gazetës Sinjali gjatë ditës së axhën e tij e kanë vra dhe ia kanë djegur veturën totalisht.
“Unë e konfirmoj axhë e kam, e kanë vra e kanë djeg në makinë, totalisht është i djegur. Më tutje nuk mundem me të thënë asgjë”, tha Kelmendi për Gazetën Sinjali.
Policia e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media për këtë rast, pa zbulur ndonjë detaj të ri. Kanë bërë të ditur se nuk ka ndonjë person të dyshuar dhe as nuk dihen motivet.
“Sot në mëngjes rreth orës 01:30 minuta, Policia është informuar se në fshatin Zahaq të Pejës në një rrugë është duke u djegur një veturë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë njoftuar zjarrfikësit, të cilët e kanë shuar zjarrin dhe e kanë parë personin”, ka thënë zv/komandati i rajonit të Pejës, Veton Elshani.
Ai ka thënë se për momentin nuk mund të flitet asgjë tjetër për rastin, apo për motivet përveç detajeve zyrtare.
“Për momentin nuk kemi diçka për me theksuar në këtë drejtim. Deri në këtë moment nuk kemi mundësi të themi diçka më shumë, përveç që dyshohet se ai është vrarë me armë zjarri. Sidoqoftë, pas raportit të autopsisë ne do të dimë më shumë”, ka deklaruar Elshani./Gazeta Sinjali/