Vrasjen e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendit, për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar nipi i tij, Ali Kelmendi.
I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Ali Kelmendi tha se për vrasjen e axhës të tij është njoftuar mëngjesin e sotëm, rreth orës katër.
“Unë e konfirmoj mixh e kam, e kanë vra e kanë djeg në makinë, totalisht është i djegur. Më tutje nuk mundem me të thënë asgjë”, tha Kelmendi për Gazetën Sinjali.
I pyetur nëse familja ishte në njohuri për ndonjë telashe eventuale që ka mundur ta ketë Qerim Kelmendi, Aliu tha se nuk di asgjë rreth kësaj.
“Nuk i di detajet se unë jetoj në qytet e ai në fshat, veç më ka thirrë vëllau ka ora katër e mëngjesit, më tutje nuk di asgjë. Jam shumë i zënë…”, tha ai.
Duke u thirrur në burime të veta Gazeta Sinjali raportoi se ish-ushtarin e UÇK-së, Qerim Kelmendin, fillimisht e kanë qëlluar me breshëri automatiku pastaj ia kanë djegur trupin. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shtëpisë së tij në Zahaq të Pejës, ndërsa në bazë të verifikimit të targave është konfirmuar se edhe vetura në të cilën iu dogj trupi ishte në pronësi të tij.
Rasti është cilësuar si ‘vrasje’, përderisa policia thekson se po bëhet përpjekje maksimale për arrestimin e dorasit./Gazeta Sinjali/