image Profili i hajnit të veturave/ Është vetëm 18 vjeç, por historia e tij kriminale është e pasur dhe me raste të ndryshme të vjedhjeve

Ekskluzive

Profili i hajnit të veturave/ Është vetëm 18 vjeç, por historia e tij kriminale është e pasur dhe me raste të ndryshme të vjedhjeve

news image

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane. Një ndër hajnat që ka rënë për të disatën herë në prangat e Policisë tashmë është ndaluar për 48 orë, pasi u kap mat në Prizren, për një rast të vjedhjes. Gazeta Sinjali ju sjellë profilin e të riut, i cili edhe pse s’ka mbushur ende të 20-tat, historia e tij kriminale është e pasur dhe me raste të ndryshme.

Bëhet fjalë për Edison Ademajn, 18-vjeçar, nga fshati Zhur i Prizrenit, emri i të cilit është i njohur për organet e rendit në Kosovë, për shkak të rasteve kriminale për të cilat dyshohet. Edisoni është arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës dhe tashmë ndodhet në ndalim policor për 48 orë.

Por kush është Edison Ademaj, i riu me dosje kriminale?

18-vjeçari Edison Ademaj u kap nga Polica e Kosovës mbrëmë pas mesnatës, në rrugën “Adem Jashari”, në Prizren, derisa një njësi policore po patrullonte. Edisoni u ndalua pasi Policia dyshonte se i njëjti kishte kryer ndonjë rast të kundërligjshëm, meqë u has duke e shtyrë një skuter, në pikë të natës. Për shkak të dyshimeve dhe mungesës së dokumentacionit për posedim të këtij automjeti, Policia e shoqëroi Edisonin në stacion policor.

Gjatë verifikimit të të dyshuarit nga ana e Policisë, u kuptua se 18-vjeçari nuk ishte pronari i automjetit me të cilën u kap dhe rasti kishte të bënte me vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Edison Ademaj e kishte vjedhur këtë automjet në korridorin e një banese, ku përmes forcës kishte arritur ta thyente bllokadën dhe ta ‘avullonte’ motorin.

Pas përfundimit të procedurave në stacion policor, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij, në kohëzgjatje prej 48 orëve, periudhë kjo që ende s’ka përfunduar dhe pritet të ndërmerren veprimet hetimore nga Prokuroria.

Por kjo nuk është hera e parë që 18-vjeçarin Edison Ademajn e zuri sherri me Policinë.

Në fillim të kësaj jave, më 17 maj, ai u arrestua për një rast tjetër të vjedhjes, në fshatin Gurrakoc të Istogut. Bëhet fjalë për vjedhjen e një vetureje luksoze Mercedes G Class, të cilën arriti ta kap në parkingun e një biznesi. Por këtë herë, ai u përball me një qytetar që luajti rolin e policit, duke iu vënë pas të dyshuarit derisa ia dorëzoi veturën e tij.

Pronari i veturës e kuptoi që 18-vjeçari ia vodhi veturën, pasi dikush iu drejtua me fjalët “të shkoi kerri”. Kjo e bëri atë të reagojë shpejt, duke marrë një veturë tjetër me të cilën e ndoqi pas hajnin. Ai arriti t’ia bllokojë rrugën Edison Ademajt dhe ta marrë sërish veturën.

Atë natë, Policia u njoftua menjëherë për rastin dhe i riu u arrestua, por që refuzoi të përgjigjej në të gjitha pyetjet gjatë intervistimit nga hetuesit policorë. 48 orë që qëndroi në mbajtje, siç duket atij i shërbyen për të bërë planin për vjedhjen e radhës, që ndodhi mbrëmë në Prizren.

Rastet e vjedhjeve në Prizren për të cilat dyshohet Edisoni janë më të shpeshta.

18-vjeçarit nuk iu ka trembur syri dhe ka tentuar të kryej një vjedhje edhe në oborrin e stacionit policor ‘Alfa’, në Prizren, më 2 janar të këtij viti.

Gazeta Sinjali pati raportuar ekskluzivisht se si Edison Ademaj bashkë me Besim Memajn, planifikuan të vjedhin veturën e tyre, të sekuestruar nga Policia e Kosovës më 1 janar. Plani i tyre dështoi pasi ata u kapën nga Policia e Kosovës kur tentuan të vjedhin veturën “Renault Clio”, me targa vendore, e cila ishte sekuestruar për shmangie nga obligimet doganore. Atë ditë, Policia fillimisht arriti të arrestojë Besim Memajn, por pas një kohe të shkurtër ka rënë në prangat e Policisë edhe Edison Ademaj.

18-vjeçari u lirua për këtë rast të tentim vjedhjes, por pa kaluar një javë, ishte arrestuar sërish.

Më 11 janar të këtij viti, një njësi policore e stacionit policor në Prizren e arrestoi Edison Ademajn në fshatin Vlashnje të Prizrenit, pasi dyshohej se kishte kryer vjedhje të rëndë në një shtëpi, më 1 janar. Ai dyshohet se hyri me forcë brenda një shtëpie, nga ku vodhi një shumë të parave.

Por këto nuk janë rastet e vetme për të cilat Prokuroria ka informacione se Edison Ademaj ka kryer vjedhje gjithandej vendit. Edisoni, me dosje kriminale për plot raste ka qenë edhe në paraburgim, me vendimin e 12 janarit të Gjykatës Themelore në Prizren, që ia caktoi këtë masë të sigurisë, të cilën posa e përfundoi vazhdoi me avazin e vjetër.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/