Prodhuesi gjerman i veturave luksoze, Audi, i cili është pjesë e Grupit Volkswagen, ka njoftuar se do ta ndërpresë prodhimin në fabrikën e vet në Hungari duke filluar nga dita e hënë.
Ky vendim sipas “Reuters” erdhi pasi grupi më i madh për prodhimin e veturave njoftoi për ndërprerjen e prodhimit edhe në Itali, Portugali, Sllovaki dhe Spanjë.
“Pas parashikimeve për shitje qartazi më të dobëta dhe paqartësive për shkak të pandemisë së koronavirusit, Grupi Volkswagen do ta ndërpresë prodhimin në shumicën e fabrikave”, thuhet në deklaratën e fabrikës së Audi-t në Hungari.
“Këto masa i prekin fabrikat e Audi AG-së në Ingolstadt, Neckarsulm, Bruksel, Meksikë dhe Hungari”, thuhet më tej në deklaratë.
Industria e veturave pritet të goditet rëndë nga përhapja e koronavirusit, sepse prodhuesit gjermanë janë të varur nga eksporti dhe tregjet në Azi e Amerikë./Gazeta Sinjali/